Lajme

Shtetet e QUINT-it kërkojnë nga Qeveria të lejojë mbajtjen e Referendumit serb në Kosovë


Flamujt e shteteve te QUINT-it dhe Albin Kurti

Referendumi për ndryshime kushtetuese në Serbi që pritet të mbahet me 16 janar, duhet të lejohet edhe në territorin e Kosovës që t’u mundësohet serbëve këtu të votojnë, thuhet në një deklaratë të përbashkët të ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Bashkimit Evropian, në Kosovë.

Siç njihen ndryshe si QUINT-i, në këtë deklarim të përbashkët shkruajnë se “ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”.

Kjo deklaratë e përbashkët vjen pas vendimit të qeverisë që nuk lejojnë mbajtjen e këtij referendumi, nën arsyetimin se kjo do të përbënte shkelje të sovranitetit të shtetit, duke u mbajtur një referendum i një shteti tjetër.

Nga qeveria patën thënë se serbët mund të votojnë me postë, sic bën diaspora shqiptare për zgjedhjet në Kosovë, ose përmes zyrës ndërlidhëse.

Por, kjo nuk ka qenë mjaftueshëm e kënaqshme për shtetet perëndimore.

“Ne kemi inkurajuar të gjithë qytetarët  e Serbisë që të marrin pjesë në referendum dhe besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote të mund të votojnë në zgjedhje dhe referendume”, thuhet në deklarim, prandaj, vazhdon njoftimi i ambasadave, “vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar”.

Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thonë se mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë të 16 janarit për ndryshimet kushtetuese si një hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e institucioneve te shtetit të sundimit te ligjit.

“Ne besojmë se këto reforma janë një hap përpara drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane dhe do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE”.

Në fund të deklarimit të përbashkët, ambasadat e shteteve më të fuqishme perëndimore, bëjnë thirrje “qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

“Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hape perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”.

Peter Stano, zedhenes i BE-se

Përveç kësaj deklarate të përbashkët, edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për mediat, ka kërkuar që të gjendet një kompromis dhe të krijohen kushtet që edhe serbët e Kosovës të votojnë në referendum.

“Nuk duhet që qytetarët ta paguajnë çmimin e mosmarrëveshjeve politike”, tha Stano.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore