Vende

Shqipëria, rivale e denjë evropiane për udhëtimet vetëm


Për udhëtarët që kanë rënë në mendime se ku do t’i kalojnë pushimet vetëm, ka pa fund destinacione.

Ama…disa bëjnë dallim.

E mes tyre është edhe Shqipëria, cilësuar nga mediat e huaja si një vend relativisht i sigurt dhe, me shumë mundësi, për të takuar bashkëkombës.

Paçka se nuk përmendet shpesh si një destinacion për udhëtimet vetëm, nuk mund t’i thuhet jo vijës së mrekullueshme bregdetare, fshatrave të këndshëm tradicionalë dhe rrugëve me kalldrëm.

E përditshmja londineze, “Evening Standard” shkruan se në vend gjen plazhe të virgjër që lehtë rivalizojnë Greqinë aty pranë.

Madje, më e mira e të gjithave, rezulton më e përballueshme krahasuar me alternativat e tjera “kundërshtare”.

Kjo “perlë” në ujërat e kaltër të magjeps edhe më shumë me historinë dhe kuzhinën mesdhetare, ka shtuar gazeta.

Përveç Shqipërisë dhe magjisë së saj, “Evening Standard” ka renditur një sërë vendesh të tjera që plotësojnë dhjetëshen e destinacioneve për t’u vizituar vetëm.

E konsideruar si një nga vendet më të sigurta në botë, Kanadaja shihet si një nga destinacionet më të mira për udhëtimet vetëm.

Gjithashtu përbën një zgjedhje të shkëlqyer, pasi atje mund të shijohet kultura e pasur e qyteteve, si: Toronto, Montreal, Vancouver dhe Ontario.

Mbi të gjitha, shfaqet e bollshme në tregjet ushqimore.

Një tjetër vend që duket se i ka të gjitha, ndryshe Kili, krenohet me shumë klima, duke ofruar një shumëllojshmëri peizazhesh.

Nëse udhëtohet nga perëndimi në lindje, shihen nga mali plazhet.

Atmosfera mund të bëhet edhe më e pëlqyeshme kur dëgjohen zhurmat e natës nën qiellin me yje në shkretëtirë.

E kur pas kësaj nevojitet freskia, ‘timoni’ i udhëtimit shkon drejt jugut të vendit.

Ngjashëm si Kanadaja, Kili konsiderohet si një nga vendet më të sigurta në Amerikën e Jugut.

Madje, një pikënisje e mirë për udhëtimin vetëm është kryeqyteti, Santiago, një qytet miqësor me kuzhinë të shkëlqyer. Dhe nëse ka kureshtarë që duan të mësojnë më shumë për verërat e vendit, është i domosdoshëm një turne në vreshtat e tij.

Pastaj vjen Costa Rica, një nga vendet me njerëzit më të lumtur në botë.

Ai mban vendin e parë nga 140 që pasojnë, me indeksin e planetit të lumtur.

Gjithashtu është një nga më të sigurtit në Amerikën Qendrore, me plazhe të mrekullueshme dhe pyje të harlisur shiu.

Listohet edhe si një nga vendet më me biodiversitet, duke i dhënë përparësi ruajtjes së jetës së egër dhe duke u fokusuar në energjinë hidrike dhe të erës, ku kthehet në qendër për aventurierët miqësorë me mjedisin.

Por ja që nuk është i vetmi për lumturinë. Është dhe Danimarka.

Vendi është i zhytur në historinë e vikingëve dhe krenohet me një kulturë shumë të jashtme. Rrugët e shumta të biçikletave ngado dhe kështjellat mesjetare kanë qenë kaherë burim frymëzimi.

Ndërkohë, në qytete si Copenhagen, mund të admirohen shtëpitë e qytetit shumëngjyrëshe përgjatë kanaleve dhe kopshteve të bukura botanike.

Një tjetër përfitim është se vendi ndodhet në qendër të Evropës, kështu që mund të shkohet lehtësisht në vendet përreth për të vazhduar eksplorimin.

Kurse Gjermania, krenohet me infrastrukturën fantastike, ku mund të lëvizet lehtësisht, pavarësisht nëse merret treni ose makina me qira në rrugët e famshme pa kufi shpejtësie.

Ngjashëm si Danimarka, ka rrëmbyer zemrën e Evropës, kështu që nuk është vështirë të shkohet në vendet fqinje.

Berlini është shumë i njohur për jetën e natës dhe festat, veçanërisht për adhuruesit e muzikës elektronike, të cilët janë në linjë për klube si Berghain, Sisyphos dhe Tresor.

Ndërsa për të “fiksuarit” ndaj kulturës, ka plot vende historike dhe muze, por edhe mbi 20 mijë kështjella.

Për eksploruesit…sigurisht, Islanda.

Jo vetëm që renditet si një nga vendet më të sigurta, por edhe më paqësorët sipas Indeksit Global të Paqes. Prandaj mund të eksplorohet pa shqetësim.

Ka ujëvara për t’u parë, shpella për t’u eksploruar, akullnaja për t’u shëtitur, burime të nxehta për t’u çlodhur.

Në kryeqytet, Reykjavik, i cili është më shumë një qytet sesa një metropol, nuk duhet të lihet pa parë balenat në gjirin Faxafloi.

Edhe Irlanda është një destinacion i mrekullueshëm për udhëtimet vetëm.

Mjafton të vizitohet një nga mijëra baret komode anembanë vendit, të porositet një litër birrë Guinness dhe e gjen veten në bisedë me një vendas ose bashkudhëtar.

Në Dublin, duhet shkuar në lagjen e gjallë, Temple Bar, për më shumë bare dhe muzikë live, ose të bëhen miq në një turne ecjeje me guidë nëpër qytetin e letërsisë, të përcaktuar nga UNESCO.

Ndërkaq, atje mund të udhëtohet lehtë me autobusët lokalë, pasi vendi është mjaft i vogël.

Sipas Indeksit Global të Paqes, vendin e dytë më të sigurt në botë e zë Zelanda e Re.

Nga ishujt mahnitës, delfinët, akullnajat e thyera dhe liqenet e mrekullueshëm, te fjordet, pyjet e shiut, ujëvarat dhe shikimi i balenave. Pa anashkaluar as kantinat e verës.

Mund të bëhet sërf në bregun lindor të ishullit jugor dhe, më pas, një shëtitje në Alpet Jugore.

Rekomandimi më i mirë për këtë vend është të përpihet dhe shijohet i gjithi, anembanë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore