Lajme

Opozita e Bashkuar në Serbi – a dallojnë nga Vuçiç në raport me Kosovën?


Liderët e partive opozitare serbe: Zoran Lutovac, Vuk Jeremiç, Dragan Djilas

Ditë më parë u lajmërua se partitë më të mëdha opozitare serbe u bënë bashkë për të garuar në një listë në Zgjedhjet Parlamentare në Serbi, që mbahen në prill të vitit 2022.

Vuk Jeremiç, kryetari i Partisë së Popullit në Serbi, pas ngecjes së negociatave për të arritur një koalicion të opozitës, deklaroi se “ose duhet të arrijmë këtë koalicion, ose duhet të hidhemi nga ura”.

Koalicioni mes Vuk Jeremiç, Dragan Dillash dhe Zoran Llutovac, u lajmërua si punë e kryer.

Megjithëse ende s’është zgjedhur një kandidtat i përbashkët për zgjedhjet presidenciale, koalicionin ata e pagëzuan si “të arritur”.

Por, sa i përket mundësisë që ky koalicion t’i fitojë zgjedhjet në Serbi kundrejt Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandër Vuçiç, dhe sa mund të kenë qëndrim dhe qasje tjetër sa i përket shtetit të Pavarur të Kosovës, është gjë që nuk lë shumë, për të mos thënë fare, për të pritur.

Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, dhe historiani Ylber Hysa konsideron në rend të parë se “mundësia që ky koalicion t’i fitojë zgjedhjet është më shumë se hipotetike”, dhe se sa i përket ndonjë ndyshimi në raport me Kosovën “vështirë se do të dallonte esencialisht nga politika e Beogradit zyrtar sa i përket njohjes së Kosovës”.

“Këtë opozitë më së shumti e bashkon pozicioni anti-Vuçiç”.

Ish-Ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa

“Asnjëra nga këto forca politike reale, sidomos ajo që udhëhiqet nga zoti Jeremiç, ose zoti Lutovac, ose zoti Dillash, apo ndonjë personalitet si Borko Stefanoviç, vështirë se do të dallonin sa i përket njohjes së Kosovës”, përgjigjet Ylber Hysa për Albanian Post.

“Me siguri do të mund të kishte një qasje tjetër sa i përket vazhdimit të dialogut, ose normalizimit të marrëdhënieve”, konsideron ai, por jo “ndonjë dallim esencial”.

“Unë thjesht nuk shoh ndonjë koncept, si të thuash, breakthrough, i cili në mënyrë radikale, do të ndryshonte qëndrim, e sidomos sa i përket njohjes së Kosovës”, shprehet ish-ambasadori Hysa.

Ndërsa sa i përket blloqeve të tjera që janë edhe më të skajshme politike, Hysa thotë se duhet llogaritur “parti ultra të djatha siç është Dveri apo eksponentë si Obradoviç, e mos të themi e Djathta e Bashkuar Monarkiste”.

“Këto janë edhe më radikalë, saqë në të djathtën e tyre e bëjnë edhe Vuçiçin të duket në qendër”.

Kosova brenda skenës politike serbe, thotë Ylber Hysa, është bërë “më shumë një retorikë e brendshme për akuza, patriotizëm dhe tradhti sesa ndonjë koncept radikal i cili e njeh realitetin në Kosovë”.

Por se nëse do të ishte dikush që do të dallohej brenda spektrit politik në Serbi, sa i përket qasjes dhe qëndrimit ndaj Kosovës, Hysa thotë se “ata janë joparlamentare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore