Shqipëria

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit: Veç mallrat dhe shërbimet në rënie


Inflacioni i çmimeve të konsumit në muajin tetor 2021, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraardhës, ka pësuar rritje në Shqipëri.

Matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), për këtë periudhë, ndryshimi vjetor llogaritet me 2.5 për qind.

Ky indeks mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve nga pikëpamja e strukturës së shpenzimeve që konsumatori synon për konsumin final.

Referuar raportit të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT), rritja më e madhe e çmimeve prej 3.9 për qind vërehet në grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Transporti”.

Ndryshimet vjetore dhe mujore të IHÇK

Këto të dyja, pasuar nga grupet “Komunikimi” me 3.0 për qind, “Argëtim dhe kulturë” me 2.3 për qind, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2.0 për qind.

Ndërkaq, grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1.6 për qind secili, “Veshje dhe këpucë” me 1.2 për qind, “Shëndeti” me 1.0 për qind, ndërsa “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0.4 për qind.

E kundërta ka ndodhur me çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme”, të cilat janë ulur me 0.7 për qind.

Ndikimi i grupeve në ndryshimin vjetor

INSTAT dallon gjithashtu se ndryshimi mujor ka rezultuar me 0.2 për qind. Pra, nga tetori në shtator të po të njëjtit vit, 2021.

Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Transporti”, me 1.2 për qind, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.7 për qind, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Veshje dhe këpucë” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0.3 për qind secili.

Ndryshimet në përqindje matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit

Ndërsa “Komunikimi” me 0.2 për qind.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor”, “Hotele kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” janë ulur me 0.2 për qind secili dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0.1 për qind.

Ndryshimi vjetor i IHÇK sipas Shteteve, Tetor 2021

Lidhur me publikimin e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, nga ana e INSTAT-it, ai ofron një panoramë të qartë të lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet evropiane.

Kjo, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve, në ndryshim nga Indeksi i Çmimeve të  Konsumit që mat vetëm inflacionin zyrtar në Shqipëri.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të indeksit. Dhe termi “i harmonizuar” ravijëzon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore