Lajme

Kosovë: KPK thirrje Qeverisë, distancohuni nga gjuha e zv.ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu


Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK)

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) me anë të një deklarate ka shprehur shqetësimin lidhur me deklaratat e zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu.

KPK thotë se gjuha e zëvendësministrit Sallahu në rrjetin social Facebook është e papranueshme pasi që ky i fundit i ka quajtur prokurorët kriminelë.

“Deklaratat e Zëvendësministrit të Drejtësisë janë linçuese, tendencioze, paragjykuese dhe kanë për qëllim dëmtimin e sistemit prokurorial”.

KPK ka bërë thirrje ekzekutivit të distancohet nga deklarimet e tilla, në të kundërtën nuk do të ketë bashkëpunim mes ekzekutivit dhe KPK-së.

“Nëse pushteti ekzekutiv nuk distancohet nga deklaratat e tilla do të ndërpritet çfarëdo komunikimi dhe bashkëpunimi ndër-institucional”, thuhet në deklaratë.

Prokurori i Shtetit thuhet në deklaratë se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore lidhur me pretendimet e paraqitura sot në media, dhe çfarëdo shkelje eventuale do të këtë reagime ligjore.

KPK-ja në të kaluarën as tani nuk do të lejoj askënd të interferojë në sistemin prokurorial.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës si organ i pavarur kushtetues nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë asnjë interferim nga askush për çfarëdo interesi personal, grupor apo politik të cenojë integritetin e sistemit prokurorial”, thuhet në deklaratë të KPK-së.

Sallahu: Prokurorët e involvuar në vepra kriminale

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se prokurorët janë të përfshirë në vepra kriminale.

Ai ka kërkuar që përveç vetingut duhet ndryshuar edhe ligjet.

“Në vend të ndjekjes së kriminelëve, ditëve të fundit, por jo vetëm, po dëshmohet që vet prokurorët janë të involvuar në veprime kriminale”.

“Përveç mekanizmit të vetingut, janë shumë të rëndësishme edhe ndryshimet ligjore që eliminojnë piramidat kriminale. Siç kemi thënë shteti i së drejtës nuk ka alternativë, prandaj edhe shumë shpejt pritet që këto ndryshime t’i procedohen Kuvendit të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore