Ka përfunduar mbledhja e Partisë Demokratike, para seancës së parë plenare.
Mbledhja ka zgjatur disa minuta ku janë dhënë direktivat e fundit.
Pas mbledhjes Kryetari i kësaj partie, Lulzim Basha nuk ka dhënë asnjë deklaratë për mediat.
Ditën e djeshme Basha dha vendimin për lënien jashtë grupit parlamentar të PD-së, ish-kryeministrin Sali Berisha.
Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se “shpallja persona non-grata e Sali Berishës, ishte një nga momentet më të vështira për mua si kryetar, si demokrat, si bashkëpunëtor i Berishës”.
Sipas Bashës, ky moment ka qenë i vështirë, kjo “jo vetëm për faktin se çfarë përfaqëson Sali Berisha, por edhe unë jam dëshmitar, si bashkëpunëtor i tij, sa rëndësi ka pasur për atë mbrojtja e interesit publik”.
Nga ana tjetër, disa minuta pas vendimit erdhi dhe reagimi nga ana e Berishës.
“Lulzim Basha është vënë nën presionin e sanksioneve. Më mirë të dorëhiqej se sa të dorëzonte sovranitetin e Partisë Demokratike”.
Kjo është replika e menjëhershme e ish-kreut dhe liderit historik të demokratëve, Sali Berisha, i cili e ka quajtur nul këtë vendim të Lulzim Bashës për ta përjashtuar atë nga Grupi Parlamentar i demokratëve.
Sipas Berishës, një vendim të tillë nuk e merr një person që respekton parimet parlamentare të një force të lirë politike.
“Unë e kuptoj presionin që ka pasur Basha, por duhet të konsideronte dorëheqjen e tij sa të konsideronte dorëzimin e sovranitetit”, u shpreh ai.
Vendimi i Bashës për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD, shkaktoi “përçarje brenda PD-së”, ku disa deputetë dolën kundër vendimit.
Tritan Shehu, Flamur Noka, Bujar Leskaj, Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi, dhe Luciano Boci, janë deri në këto momente deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit të cilët kanë kundërshtuar vendimin.
Sipas tyre me këtë vendim mund të zhbëhet një pjesë e rëndësishme e kësaj forcë politike.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com