Shqipëria

Balla jo i zhgënjyer për lënien jashtë Kabinetit, reagojnë edhe të tjerët


Menjëherë pas shpalljes së Qeverisë “Rama 3” kanë ardhur edhe reagimet e para anëtarët e zgjedhur prej kryeministrit, Edi Rama.

Taulant Balla, i cili nuk do të jetë më sekretari i Përgjithshëm i PS-së (post i besuar Damian Gjiknurit), u shpreh se ka një pozicion të rëndësishëm tashmë, si kreu i grupit parlamentar.

Pyetjes së Albanian Post, mbi zhgënjimin për mospasjen e një pozicioni ministror pas kontributit, në dy mandatet e para, ai iu përgjigj se ka një detyrë të re.

“Të jesh kreu i grupit parlamentar dhe drejtues i qarkut të dytë më të madh, është një post i rëndësishëm”, theksoi Balla.

Damian Gjiknuri: Detyra e re, një sfidë e vështirë

Nga ana tjetër, sekretari i ri i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, e ka konsideruar detyrën si një sfidë.

“Është një detyrë e vështirë, unë kam eksperiencën time elektorale”, u shpreh ai.

Sipas tij, kjo sfidë është totalisht e mirëpritur.

Lindita Nikolla: Jam gati

Lindita Nikolla, e cila do të mbajë timonin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, u shpreh se është mëse gati për postin që i është besuar.

“Jam e përgatitur. Jemi të përgatitur për të bërë më të mirën e mundshme për një debat jetik. Është një emocion i veçantë”, tha ajo për mediat.

Etilda Gjonaj: Kam dhënë maksimumin

Etilda Gjonaj, e cila nuk do të jetë më pjesë e Qeverisë, mori mandatin e tretë si Sekretare për rolin e gruas.

“Në 4 vite në krye të drejtësisë jam munduar të jap maksimumin tim dhe besoj se falë mbështetjes që kamë marrë  kemi arritur rezultate sinjifikative që do të çohen para nga Ulsi Manja”, u shpreh ish-ministrja.

Niko Peleshi: Nuk e prisja, jemi të gjithë të zëvendësueshëm

Niko Peleshi, i cili u rikonfirmua sërish në rolin e ministrit të Mbrojtjes, theksoi se priste një emër tjetër, pasi të gjithë janë të zëvendësueshëm.

“Jam shumë i bindur që ajo çka u parashtrua nga kryeministri, mbi nevojën e një rishikimi të gjithë organizatës sonë politike, mendësisë dhe kulturës, edhe pse jemi fitimtarë, është ajo që duhet të na motivojë të gjithëve”, tha Peleshi.

Ogerta Manastirliu: Pandemia, e mirë menaxhuar

Pasi u rikonfirmua në krye të ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, theksoi se ishte bërë një punë e mirë në menaxhimin e pandemisë.

“Puna nuk bëhet vetëm por në ekip. Nën drejtimin e Ramës padyshim që përpjekjet e ekipit në ministrinë e shëndetësisë ia kemi dalë të shkojmë në një nivel të mirë”, tha Manastirliu.

Ditmir Bushati: Vijon kontributi im në PS

Ditmir Bushati, anëtari i ri i Akademisë politike u shpreh se do të vijojë kontributin e tij në Partinë Socialiste.

“Kam përshtypjen që në fjalën e tij, Rama e cilësoi se ka vend për të përmirësuar debatin politik. Përmirësimi i hapësirës së debatit politik duhet të vazhdojë nga vetë PS-ja”.

Evis Kushi: Rama, mbështetës ndaj të rinjve

Evis Kushi, e cila u zgjodh sërish në krye të Ministrisë së Arsimit, u shpreh se PS-ja ka shumë potencial.

E pyetur mbi zgjedhjen e Bora Muzhaqit si ministre për Rininë dhe Fëmijët, ajo theksoi se kjo nuk është diçka për t’u surprizuar. Kjo pasi kryeministri Rama, “i ka mbështetur gjithmonë të rinjtë”.

Milva Ekonomi: Sfida e PS-së, t’i shërbejë publikut

Ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi, në prononcimin e saj për mediat, tha se ndihet e vlerësuar pasi do të përballet me “diçka të re”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore