Shqipëria

SPAK zgjat hetimet për ish-gjyqtaren e Krujës


Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zgjatur edhe një muaj hetimet për ish-gjyqtaren e Krujës, Enkeleda Hoxha, si dhe bashkëpunëtorët e saj.

Në maj të këtij viti, Hoxha ka apeluar vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për shkarkimin e saj.

Ajo e ka cilësuar vendimin si antikushtetues dhe e ka apeluar atë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

KLGJ-ja vendosi të pranojë kërkesën e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë (ILD), për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Krujës, më 17 mars.

ILD-ja, nën drejtimin e Artur Metanit, ka dalë në përfundimin se magjistratja ka shkelur masat disiplinore, si mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit.

“Përfitim të padrejtë për palët, mosrespektim të rëndë e të vazhduar të legjislacionit material e procedural penal dhe nxjerrje të akteve (vendimeve) të paarsyetuara”, shkruhej në vendimin e ILD-së.

Gjyqtarja Hoxha operonte në Gjykatën e Krujës. Ajo është arrestuar dhe pezulluar nga detyra më 11 shkurt.

Arrestimi i saj ka ardhur, pasi nga hetimet disa mujore të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), rezultoi se ajo kishte liruar nga burgu persona të njohur të botës së krimit kundrejt miliona eurove në shkëmbim të lirisë.

Gjatë sekuestrimit në shtëpinë e saj u gjetën 9 mijë dollarë.

Hetimet e SPAK-ut nxorën zbuluar dhe avokatin Aldo Tabaku dhe tetë punonjës të tjerë të Gjykatës së Krujës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore