Bota

Navalny: Nuk do të vetëvritem!


“Nuk kam asnjë qëllim që të kryej vetëvrasje në burg!”

Këtë deklaroi kritiku i Kremlin-it, Alexei Navalny, në një mesazh drejtuar mbështetësve të tij nga qelia ku është burgosur prej tashmë pesë ditësh. Thirrja e Navalny-t erdhi pas dyshimeve të shumë ndjekësve të tij, se ai mund të ekzekutohet në burg dhe e gjithë kjo të stiset si një vetëvrasje.

Mesazhin e ka postuar avokati i Navalny-t në Instagram. “Po deklaroj se nuk kam asnjë plan të vetëvarem. Aq më pak të pres venat apo fytin me një send të mprehtë”, thekson ai.

“I kaloj shkallët me shumë kujdes. Presioni i gjakut më matet çdo ditë dhe është si ai i një kozmonauti. Një arrest kardiak është i përjashtuar. E di që jashtë këtij burgu ka njerëz të mirë dhe do të vijë ndihmë për mua”.

Mbi 90 protestues janë arrestuar ndërkohë në Moskë, pas protestave për lirimin e opozitarit rus. Autoritetet i kanë justifikuar arrestimet, duke thënë se “për shkak të pandemisë, nuk lejohen grumbullime të tilla”.

Ndër të ndaluarit, është edhe zëdhënësi për shtyp i Navalny-t, i cili u dënua me 10 ditë burg. Bashkëpunëtorë të tjerë janë arrestuar ose gjobitur. Akuzat kryesore është angazhimi i të miturve në protesta.

E gjithë kjo situatë politike në Rusi vjen pas rikthimit të Navalny-t në atdhe. Për shkak të një helmimi të pësuar me një agjent kimik në gusht të vitit 2020, ai u detyrua të udhëtojë drejt Gjermanisë, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Opozitari rus qëndroi pesë muaj atje, për t’u rikthyer në Moskë në 17 janar 2021. Ai u arrestua menjëherë në pikën kontrollore të aeroportit të Sheremeteyevo-s.

Një seancë e jashtëzakonshme gjyqësore, e dënoi Navalny-n me 30 ditë burgim, për mos respektimin e detyrimit të paraqitjes gjatë kohës që kishte qëndruar në Gjermani./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore