Lajme

Dy fëmijë të shkollës fillore ‘Faik Konica’ ngacmojnë seksualisht një vajzë


Të martën në oborrin e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë disa nxënës të klasës së shtatë, shihen në një video teksa ngacmojnë seksualisht një vajzë të kësaj shkolle të klasës së parë.

Këtë rast e ka konfirmuar për Albanian Post, drejtoresha e shkollës Jehona Oruqi, e cila e tha se është duke shkuar për të dhënë deklaratë në stacionin e policisë.

“Është në shkollën tonë dhe është një rast që nuk guxon të trajtohet nga mediat. Të gjitha masat shkolla i ka marrë për këtë rast’, tha Oruqi.

Ajo e ka mohuar se ka tentuar që ta mbajë fshehtë këtë rast.

“Jo jo, absolutisht nuk është e vërtetë aspak, të gjitha hapat janë marrë nga psikologu por nuk guxon të trajtohet në media, sepse mundet të ketë pasoja negative. Policia ka qenë e njoftuar për këtë rast”, shtoi ajo.

Psikologja e shkollës Rukije Vllasa Basha tha për Albanian Post se kjo ngjarje ka ndodhur para dy jave dhe organet e rendit janë njoftuar me kohë.

“Kjo ka ndodh më herët dhe hapat që duhet ndërmarrë me të gjitha organet e rendit dhe organet shkollore janë ndërmarrë dhe plani i veprimit ka filluar tash e 2 jave me të gjithë pjesëmarrësit në video”, ka theksuar Vllasa Basha.

“Për informacione shtesë mund të drejtoheni në shkollë dhe me leje të policisë se komunitetit mund të ju japim të dhëna dhe detaje për rastin. Përndryshe rasti është konfidencial sepse kemi të bëjmë me fëmijë të cilët janë viktima nga cilido kënd që e shikon”.

Ndërkaq zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, theksoi për AP se “nga zyrtarët e shkollës kemi pranuar një informacion me ndjeshmëri, i cili është trajtuar në koordinim me drejtuesit e shkollës, zyrtarët e Qendrës për Punë dhe Mirëqenie Sociale si dhe Prokurorin e shtetit”.

“Për shkak të moshës së personave të përfshirë në këtë ngjarje dhe rrethanave specifike, me rekomandim të prokurorit, rasti po trajtohet nga Qendra për Punë dhe Mirëqenie Sociale”, ka thënë Ahmeti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore