Shqipëria

“Përfundon 52% e procesit të administrimit të Programit për Kontrollin e Plasjes”


Ka përfunduar më tepër se gjysma e procesit për zbatimin e Programit Vjetor Kombëtar të Kontrollit të Plasjes, në bagëtitë e imta dhe kafshët bujqësore, në të gjitha zonat me risk të lartë.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, të enjten e 13 majit, përmes një postimi në media sociale Facebook.

“Deri më sot ka përfunduar 52% e procesit, i cili me këto ritme të shpejta do të mbyllet para afatit, muajit maj”, shkruante ministrja, duke theksuar kështu se procesi i administrimit po kryhet nga veterinerët zyrtarë të shërbimit.

Plasja në Shqipëri është një sëmundje endemike dhe çdo vit raportohen raste.

Sipas raportit të publikuar nga Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural (MBZHR), për Kontrollin e Plasjes në Bagëtitë në Shqipëri, kjo sëmundje cilësohet si “kërcënuese për jetën e njerëzve”.

Sëmundja ka një aspekt socio-ekonomik të rëndësishëm, që rrjedh nga humbjet ekonomike të shkaktuara drejtpërdrejt, por gjithashtu edhe në mënyrë indirekte, nga reduktimi i mundësive për kullotjen e kafshëve në kullotat e ndotura.

Ky projekt synon kryesisht minimizimin e kontaminimit, duke zvogëluar kështu rrezikun e infeksioneve të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore