Shqipëria

Vijon puna për rindërtimin e shkollave në Kamëz


Kryeministri Edi Rama dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, më 3 maj kanë vizituar ambientet e shkollave të Kamzës, të cilat janë në rindërtim, pas dëmeve që morën nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Janë 12 shkolla, të cilat do të jenë gati brenda qershorit. Këtë fakt e ka bërë me dije vetë ambasadori Soreca.

“Jemi shumë të kënaqur me ecurinë. Kemi folur edhe me mësuesit dhe nxënësit dhe janë shumë të lumtur. Këtë gjë e kemi parë edhe në Durrës, ku janë rindërtuar shkolla të tjera”.

“Vijon puna pa pushim me bllokun e dytë të shkollave të reja, të cilat ndryshe nga blloku i parë, që u financua 100% nga qeveria shqiptare, financohen 100% nga Bashkimi Evropian”, shkruan ndërkohë Rama në Facebook.

Sipas kryeministrit, BE-ja është gjendur pranë qeverisë shqiptare që nga çasti i parë i tërmetit. Ai ka përmendur gjithashtu konferencën e donatorëve, ku 1.15 miliardë euro u mblodhën në ndihmë të Shqipërisë.

Soreca ka shtuar gjithashtu se “arsimimi është një pikë kyçe, mbi të gjitha pas rindërtimit”. BE-ja ka ndërmarrë në vendin tonë nismën EU 4 Schools. Ky fond ndihmon në rindërtimin e mbi 40 shkollave në gjithë Shqipërinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore