Lajme

9 zyrtarë të Doganës së Kosovës largohen nga puna


Dogana e Kosovës

Dogana e Kosovës ka marr vendim për të larguar nga puna nëntë zyrtarë doganorë, “ndaj të cilëve është në vijim procesi gjyqësor penal”, thuhet në njoftimin për medie të këtij intitucioni.

Pas hetimeve të brendshme këta zyrtarë fillimisht janë suspenduar, ndërsa pas zhvillimit të një procesi disiplinor dhe bazuar në provat e administruara është vendosur për shkëputje përfundimtare të marrëdhënies së punës.

“Provat e administruara janë të qarta për të dëshmuar se veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve në këtë rast janë të dënueshme dhe paraqesin shkelje të rëndë të Kodit të Mirësjelljes”, thuhet në njoftim të Doganës.

Tutje thuhet se Dogana e Kosovës mirëpret bashkëpunimin me publikun për të mundësuar mbrojtjen e qytetarëve dhe mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës.

“Në kuadër të stafit të Doganës së Kosovës ka vlera shumë të larta profesionale dhe integritet”, thuhet më tej në njoftim, “të cilat po bëjnë të mundur që me efikasitet të dalluar të luftohen dukuritë që dëmtojnë besimin dhe efikasitetin e organizatës, andaj kërkojmë nga publiku që të bashkëpunojnë me Doganën e Kosovës duke siguruar informata dhe dëshmi që adresojnë kontrabandën dhe korrupsionin”.

Dogana e Kosovës njofton se ka lansuar aplikacionin për pajisje të mençura e quajtur eDogana, platformë kjo e cila siguron komunikim të avancuar me qytetarë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore