Lajme

“Diplomacia Sekrete” – gjeneron frikë, minon besimin, rrezikon zbatimin


Foto ilustruese nga Albanian Post

Forca e institucioneve shtetërore demokratike përfshinë një nivel të lartë transparence dhe përgjegjshmërie, ndërsa një instucion i mirë shtetëror është ai që i shërben në transparencë dhe efikasitet nevojave të klientëve të tij – qytetarëve të shtetit, thotë politologu amerikan Francis Fukuyama.

Po bëhen gati tre muaj që kur u konfirmua ekzistenca e propozimit franko-gjerman për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe që atëherë, qytetarët në të dy anët e kufirit e dinë vetëm atë që është publikuar në media – çfarë marrin dhe çfarë duhet të japin në këmbim.

Meqenëse procesi nuk përfshinë askënd përveç liderëve aktualë, Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç’in, të cilët e kanë krejt pushtetin ekzekutiv në shtetet përkatëse, për analistin politik, Imer Mushkolaj, kjo s’do të thotë se pjesa tjetër – opozita, mediat dhe shoqëria civile – nuk duhen të përfshihen në këtë proces.

“Vetë ideja që i kemi instucionet shtetërore dhe bartës të institucioneve janë njerëzit kryesorë që duhet të negociojnë dhe të arrijnë marrëveshje, nuk nënkupton që të tjerët duhet të përjashtohen nga procesi”, thekson ai për Albanian Post.

Mushkolaj vlerëson se i gjithë procesi i dialogut është duke u karakterizuar prej një mungese radikale të transparencës dhe, siç vë në pah ai, vetëm sa mundet t’i shtojë dyshimet dhe spekulimet se janë duke u zhvilluar “negociata që e dëmtojnë Kosovën”.

Opozita në rrafshin politik, së bashku me shoqërinë civile dhe mediat në rrafshin strategjik, sipas Mushkolajt, përcjellin ndoshta jo të gjithë të vërtetën se çfarë po ndodh, por japin një bazë për sugjerim dhe pozicionim simbolik.

Në fakt, është bërë e ditur se dialogu po vazhdon në kushte konfidencialiteti për të krijuar kushte që do t’u mundësonin palëve të angazhohen më hapur me njëra-tjetrën, pra sipas modelit që në marrëdhëniet ndërkombëtare njihet si “Diplomacia Sekrete” ose zhvillimit të negociatave pa shqyrtim publik.

Kjo merret si argumenti kryesor pse dështoi marrëveshja e Oslos e vitit 1993 midis izraelitëve dhe palestinezëve, e cila solli njëfarë progesi, por ishte jetëshkurtër.

Ndërkaq, edhe drejtori i Organizatës për Demokraci “Çohu”, Arton Demhasaj, në një prononcim për AP, thotë se transparenca është domosdoshmëri, sidomos për një çështje kaq të rëndësishme siç është zgjidhja e problemeve të hapura mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Duhet të kemi më shumë informacione direke nga ana e qeverisë, nga ana e kryeministrit, se çka po flitet, për çfarë marrëveshje po bëhet fjalë në mënyrë që qytetari ta kuptojë më mirë se çka do të nënshkruhet”, potencon ai.

Megjithatë, Demhasaj shpreson se “sa më afër të jetë arritja e marrëveshjes, qytetarët kanë për t’u informuar”.

Gjithashtu, ekziston rreziku që krerët e institucioneve të mbivlerësojnë zbatueshmërinë në mes të kundërshtimit të brendshëm pasi marrëveshja të hyjë në domenin publik, siç është rasti i marrëveshjeve të Brukselit apo asaj të Uashingtonit.

Duke u nisur nga kjo, Mushkolaj nuk e përjashton mundësinë që marrëveshja të mos zbatohet, por sipas vlerësimit të tij, natyra e marrëveshjes që po diskutohet aktualisht është e një rëndësie më të madhe, duke shtuar se Qeveria e Kosovës duhet ta bëjë të qartë dhe t’i heq dilemat se nuk po bëhet fjalë për një marrëveshje finale.

“Nuk po bëhet fjalë për një marrëveshje për njohje reciproke e as për njohje në qendër. Po flasim për një marrëveshje kalimtare, një marrëveshje që më tepër është për menaxhimin e krizës, në kuptimin e status quo-s, e cila nuk e siguron një raport ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë”.

Nga ana tjetër, Demhasaj nuk lë mundësi që një marrëveshje e tillë të mos zbatohet nga elitat e ardhshme politike, pasiqë siç argumenton ai, “obligimet janë shtetërore dhe nuk janë obligime të partive politike”.

“Askush s’mund t’i ikën asaj marrëveshje sepse shteti kështu funksionon, nuk mundet marrëveshjet që i ka arritë qeveria e mëhershme të mos i zbatojë qeveria aktuale”.

Dialogu sekret mund t’i ndihmojë palët të ndërtojnë një nivel minimal besimi midis tyre, por nga ana tjetër gjeneron frikë dhe gërryen besimin e publikut tek liderët politikë.

Në këto rrethana, pak transperencë mund të jetë më i rrezikshëm se sa aspak sepse qytetarët katandisen në asgjë më shumë se një grumbull i atomizuar individësh, që dridhen nga frika pas gardhit të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore