Lajme

539 emigrantë shpëtohen nga italianët


Policia Kufitare italiane ka shpëtuar 539 emigrantë, të cilët po lundronin në një varkë peshkimi në brigjet e ishullit të Lampedusa-s.

Ky është një ndër numrat më të lartë të emigrantëve të shpëtuar në një ditë të vetme. Mes tyre ndodheshin gra dhe fëmijë të shumtë.

Një pjesë e tyre, kishin në trup shenja dhune dhe mendohet se vinin nga Libia. Për këtë shkak, prokurorët italianë kanë nisur një hetim mbi arsyet e shenjave të dhunës mbi ta.

Sipas ekzaminimeve të para nga mjekët që u gjendën pranë emigrantëve, shenjat e dhunës janë më të hershme në kohë dhe mund të kenë qenë pre e ndonjë sulmi në Libi. Pra, nuk kanë ndodhur në varkë.

Një nga dyshimet, është se ata mund të kenë qenë të burgosur në mënyrë të jashtëligjshme në Tripoli.

Menjëherë pas aksionit të shpëtimit ata janë transportuar drejt një vendi të pritjes së emigrantëve.

Vetë kryetari i Bashkisë, Toto Martello, e përshkroi ngjarjen si “misionin më të madh të shpëtimit në kohët e fundit”.

Lampedusa është një nga portat kryesore të Mesdheut për kalimin e emigrantëve nga vendet e Afrikës Veriore.

Vetëm gjatë muajit maj të këtij viti, në pak orë, mbi 1 mijë emigrantë u qasën në ishullin italian.

Kampi i emigrantëve që është në ishull ndërkaq, nuk mund të presë më shumë se 300 syresh. Ndërsa tani, në të, gjenden më shumë se pesëfishi i kapacitetit.

Shumica kanë prejardhje nga vende, të cilat nuk kanë mundësi të aplikimit për azil në Itali.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore