Lajme

351 afganë vazhdojnë të strehohen në Kosovë


Afganët në Kosovë. Foto: Reuters.

Ministria e Punëve të Brendshme, ka konfirmuar se janë 351 shtetas afganë duke vazhduar strehimin në Kosovë e të cilët mund të qëndrojnë deri në vitin 2023.

“Sipas legjislacionit në fuqi për azil, ndaj këtyre personave parashihet që në rastin e vazhdimit në vendin e prejardhjes së personit të mbrojtur mund të zgjatet për një periudhë kohore maksimale prej dy vjetësh”, thuhet në përgjigjen me shkrim të MPB-së për Radio Evropa e Lirë.

Më 4 gusht, Kosova kishte pranuar 146 qytetarë afganë shtesë të cilët tashmë janë akomoduar në vendet e caktuara sipas marrëveshjeve paraprake.

“Në koordinim me të gjithë akterët e brendshëm institucional dhe shtetet aleate të Republikës sonë, jemi të angazhuar maksimalisht që të gjithë qytetarëve që po ballafaqohen padrejtësisht me konflikte e luftë, të ju mundësojmë strehim, mirëqenie e siguri për aq kohë sa janë në shtetin tonë”, kishte shkruar ministri Sveçla në Facebook.

Afganët në Kosovë. Foto: Reuters.

Kosova u bë ndër shtetet e para që pranoi të strehonte në territorin e saj afganët që u larguan nga Afganistani si pasojë e luftës civile atje.

Kosova kishte pranuar diku mbi 1 mijë e 500 afganë tash e më shumë se një vit, pasi talebanët kishin marrë në dorë udhëheqjen e Afganistanit.

Më 24 maj The Wall Street Journal kishte raportuar se Departamenti Amerikan i Shtetit ka nisur t’i njoftojë disa prej afganëve të strehuar në Kosovë, se nuk do të lejohen të hyjnë në SHBA.

Gazeta kishte raportuar se 22 afganë janë duke kaluar nëpër procesin e verifikimit – prej të cilëve 16 kanë marrë njoftimin se aplikacionet e tyre për të hyrë në SHBA, janë refuzuar. Sipas gazetës, për gjashtë raste të tjera ende nuk është marrë vendimi.

E për afganët e strehuar në Kosovë që nuk po plotësonin kriteret për t’u futur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Kosovës pati lajmëruar se ata do të transportohen drejt vendeve të treta

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore