Shqipëria

30-vjetori i krijimit të RENEA-s, Çuçi: Sakrifica në betejën pa kompromis kundër krimit


“Kurorën e lavdisë, RENEA e ka fituar përmes sakrificash të pafundme, me jetë të humbura e të plagosur nga radhët e saj, në betejat pa kompromis me krimin”.

Kështu është shprehur ministri i Brendshëm në Shqipëri, Bledi Çuçi, mëngjesin e 12 nëntorit, në ceremoninë e 30-vjetorit të themelimit të njësisë së forcave RENEA.

“Kanë kaluar plot tre dekada, të mbushura me suksese të jashtëzakonshme, e të arritura përmes punës dhe sakrificës së njerëzve si ju”, iu drejtua Çuçi forcave RENEA.

Më tej Ministri theksoi faktin se kjo njësi është “elita” e trupës së Policisë së Shtetit. Në fjalën e tij, ai vuri në dukje “sakrificat e pafundme, me jetë të humbura e të plagosur nga radhët e saj, në betejat pa kompromis me krimin”.

Çuçi bëri me dije se që prej krijimit të saj në nëntor 1991 janë zgjidhur me sukses plot 2 mijë e 827 operacione me rrezikshmëri të lartë dhe rreth 94 operacione në vit ose një operacion çdo katër ditë.

“Është fakt i njohur se RENEA ka shpëtuar dhjetëra jetë njerëzore në operacione me shkallë të lartë vështirësie, ashtu sikurse në raste fatkeqësish natyrore, zjarre e aksidente të ndryshme”, vijoi Ministri.

Sipas Çuçit, forcat RENEA, kanë kryer akte “tejet të guximshme”, pasi janë përballur me operacione të rrezikshme, ku “ekspertët zhytës të RENEA-s kanë gjetur trupat e shtetasve të mbytur në lumenj të rrëmbyer, që kishin dalë nga shtrati apo raste të ngjashme”.

“Më trishton fakti që, nga radhët e RENEA-s kanë humbur jetën në përballje me krimin, pesë djem të shkëlqyer, oficerë shembullorë, të cilët sot prehen në varrezat e dëshmorëve”, ravijëzoi Ministri Çuçi.

Ndër të tjera, Çuçi, theksoi faktin se, “jam i vetëdijshëm për të gjithë kontributin tuaj, siç jam në dijeni edhe për ngarkesën e madhe psikologjike dhe stresin gjatë punëve pa orar, natë e ditë, apo edhe për privacionet në jetën e përditshme, që ju duhet të përballoni”.

Po ashtu në fjalën e tij ai përmendi dhe buxhetin për vitin 2022 dhe mbështetjen financiare që do iu jepet Policisë së Shtetit dhe veçanërisht forcave RENEA.

”Mbështetja financiare dhe investimet në pajisje dhe teknologji moderne, do të shtohen vit pas viti në këtë mandat 4-vjeçar, por edhe më tej si pjesë e vizionit tonë ‘Shqipëria e Sigurte – 2030’”.

Në përfundim Çuçi inkurajoi oficerët e RENEA-s për të vazhduar punën duke realizuar objektivat “me devotshmëri të lartë, profesionalizëm dhe sakrificë, për të kontribuar në krijimin e një të ardhme më të sigurt  për fëmijët, familjet dhe vendin tonë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore