Lajme

3 maji, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit


3 maji, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, festohet me një konferencë ndërkombëtare në Paris, në selinë e UNESCO-s.

Ceremoni të tjera zhvillohen në ato shtete demokratike ku shprehja “liri për të informuar” ka kuptim në realitetin e përditshëm të popullsisë.

Sot si kurrë më parë, e drejta për të shprehur lirisht mendimet zbulon realitete shumë të ndryshme.

Midis vendeve demokratike dhe autokracive dallimet dhe mosbesimi është në rritje. Ata duken sikur të ishin planetë të ndryshëm, pavarësisht shpresave të lindura në dekadat e fundit nën valën e teknologjive të komunikimit.

Muret e reja duken më të forta se edhe vetë teknologjitë. Globalizimi ekziston në ekonomi, por jo në informacion.

Vjeshtën e kaluar, “Union Internationale de la Presse francophone” mbajti një konferencë mbi lirinë e informacionit në Paris, ku ky diversitet u theksua në mënyrë dramatike.

Është e qartë se situata e demokracive evropiane nuk mund të krahasohet, për shembull, me atë të shteteve afrikane ku sot kundërshtarët i kërcënojnë dhe madje arrestohen sistematikisht.

Megjithatë, kjo në asnjë mënyrë nuk tregon mungesën e problemeve shumë serioze në demokracitë evropiane apo amerikane. Askush nuk ka të drejtë të ngushëllojë veten duke thënë se të tjerët janë më keq.

Dita e Lirisë së Shtypit ka kuptim nëse bëhet një moment për të reflektuar mbi sfidat me të cilat përballen të gjithë dhe nga të cilat varet arritja ose ruajtja e demokracisë.

Aty ku pushtetet politike zgjidhen lirisht nga qytetarët, sot ne i kuptojmë kufijtë dhe problemet e vetë institucioneve demokratike.

Në shumicën e vendeve evropiane pjesëmarrja e qytetarëve në votime është në rënie në mënyrë alarmante dhe pyetja është se si të ringjallet pjesëmarrja e popullsisë në jetën e institucioneve përfaqësuese.

Ky rezultat nuk mund të arrihet pa lirinë e vërtetë të shtypit. Këtu është reflektimi për të ardhmen e informacionit duke u bërë njësh me atë për të ardhmen e demokracisë.

Marrim si shembull një vend si Franca, në të cilin shumë media ishin në duart e kooperativave të gazetarëve apo sipërmarrësve editorialë, tani dominohet nga grupe të një natyre tjetër.

Pse nxitojnë për t’u futur në media?

Privatizimi në 1987 i kanalit të parë televiziv publik “Tf1” shkoi në përfitim të gjigantit të ndërtimeve Bouygues, i cili më pas u zgjerua edhe në sektorin e telefonisë celulare ashtu si lojtarët e tjerë aktualë kryesorë në peizazhin mediatik transalpin.

Gazeta “Le Figaro”, dikur në duart e botuesit Hersant, sot i përket familjes Dassault, e cila furnizon shtetin me avionët kryesorë ushtarakë.

Gazetat e përditshme “Les Echos” dhe “Le Parisien” i përkasin gjigantit LVMH.

Kështu që qartësisht marrëdhënia media-institucion përshkohet nga dyshime, të shkaktuara nga interesat e veçanta të atyre që zotërojnë vetë median. Interesa legjitime, por shpesh shqetësuese.

Ky nuk është një fenomen vetëm francez sot, ku në shumë vende demokratike grupet e mëdha mediatike janë në duart e korporatave të mëdha të biznesit.

Edhe aty ku duket se liria e shtypit është fituar, është e rëndësishme të kuptohet se ky parim duhet të interpretohet çdo ditë në lidhje me mundësitë reale dhe vullnetin real për të garantuar informacion të thelluar dhe pluralist.

Duhet të interpretohet në radhë të parë nga gazetarët, por edhe për këtë duhet të pyesim veten.

Cilat janë specifikat dhe etika e gazetarëve në një kontekst në të cilin teknologjitë e reja i lejojnë të gjithë t’i adresojnë informacionet një audience të gjerë?

Një pyetje për të cilën përfaqësuesit e kategorisë ndoshta duhet të përpiqen me shumë vendosmëri për të gjetur përgjigje në hap me kohën.

Rusia e Putin-it, e cila mori përgjegjësinë e tmerrshme të fillimit të luftës kundër Ukrainës fqinje më 24 shkurt 2022, është ndër vendet ku çdo ditë sulmohet liria e shtypit.

Në Rusinë e sotme, gazetarët rrezikojnë përndjekje sistematike dhe dënime të rënda penale nëse shprehin qëndrime që nuk pajtohen me vijën zyrtare.

Situata e tyre mund të jetë vetëm në qendër të reflektimeve të përbashkëta me rastin e kësaj Dite Botërore të Lirisë së Shtypit.

Është dita e tridhjetë që nga krijimi i këtij përvjetori nën kujdesin e UNESCO-s. E tridhjeta dhe ndoshta më e rëndësishmja.

Marrë pjesërisht nga një editorial i revistës italiane “Affari Internazionali”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore