Lajme

3 kërkesat e Rakiç-it që të ndalen protestat në Veri


Goran Rakiç

Goran Rakiç – kryetar i Listës Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë është takuar me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkimit Evropian, Charles Fris, të cilit ia ka drejtuar tri kërkesa në mënyrë që të ndalen protestat në komunat Veriore të Kosovës.

Rakiç përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”, ka thënë se një nga kërkesat është “lirimi i dy serbëve të arrestuar”, të cilët akuzohen se kanë ushtruar dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it të hënën e 29 majit.

“Tërheqja e forcave speciale të policisë nga ndërtesat komunale nga veriu; Kryetarët e komunave të zgjedhur në mënyrë të paligjshme nuk duhet të vijnë në ndërtesat komunale në veri”, janë dy nga kërkesat tjera që Rakiç ia ka drejtuar Fris-it.

Rakiq me Frizën

Ndërkaq, Rakiç i cili para disa jave përfaqësonte Serbinë në Kinë, deklaroi se pas përmbushjes së këtyre kërkesave, “kërkojmë tërheqjen e të gjitha njësive speciale të Policisë së Kosovës nga i gjithë territori i veriut dhe fillimin e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Ndryshe, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – dirigjohet drejtpërdrejtë nga Beogradi, përkatësisht nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Përfaqësuesit e tyre ishin ata që i organizuan protestat e dhunshme, ku si pasojë mbetën të lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it.

Këto veprime të tyre kanë për qëllim që t’i pengojnë kryetarët e zgjedhur të komunave Veriore të Kosovës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, të cilët i asistoi Policia e Kosovës që të futeshin në zyrat e tyre të premten.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar nga 30 ditë paraburgim ndaj dy serbëve, të cilët u arrestuan nga ana e Policisë së Kosovës për dhunën e ushtruar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në protestën e ditës së hënë në Zveçan.

Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë të mërkurë, më saktësisht Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve R.P dhe D.O.

Të pandehurit, siç thuhet në njoftim, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, dhe veprën penale Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve R.P dhe D.O dhe të njëjtëve ju ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, për secilin”.

30 ditë paraburgim për dy serbët që sulmuan pjesëtarët e KFOR-it të hënën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore