Lajme

24 orët e Yulia Navalnaya në X – Mbështetje e jashtëzakonshme për kundërshtaren e re të Putinit


E cilësuar si Zonja e Parë e opozitës ruse, Yulia Navalnaya, ka fituar një mbështetje të jashtëzakonshme në platformën X.

Në vetëm 24 orë, që pas hapjes së llogarisë, e veja e liderit të opozitës ruse – Alexei Navalny –  ka grumbulluar mbi 170 mijë ndjekës.

Kishte zgjedhur të ruante një profil të ulët publik, por vdekja e Navalny-t e ka portretizuar atë në sytë e audiencën si pasuesen e duhur.

Njëherazi, si kundërshtaren kryesore të presidentit rus Vladimir Putin që kurrë nuk e përmendi emrin e Navalny-t në publik.

Me sytë e rrëmbushur që shfaqin haptazi gjithë dhimbjen, por njëkohësisht të patrembur e këmbëngulës, ajo tregoi në videon e parë të publikuar në X se do të ecë në rrugën e bashkëshortit të saj.

“Çka na nevojitet është një Rusi e lirë, paqësore dhe e lumtur. Rusia e mrekullueshme e së ardhmes që burri im aq shumë e ëndërronte. Ky është vendi që unë dua të ndërtoj së bashku me ju. Vendi që Alexei Navalny imagjinonte”, thotë ajo bindshëm.

Videoja tanimë numëron 4.9 milionë shikime. Një rritje tejet e madhe dhe e shpejtë. Aq sa shkaktoi një pezullim të përkohshëm të llogarisë, për t’u rikthyer sërish fuqishëm.

Duke marrë parasysh edhe faktin se Navalnaya as nuk flet dhe as nuk poston në gjuhën angleze – por vetën në rusisht – rritje e popullaritetit të saj në platformën X fiton të tjera përmasa.

Ajo ka qenë gjithmonë mbështetëse vendimtare e bashkëshortit të saj dhe ka qenë e rëndësishme në largimin e tij nga Rusia për trajtim urgjent kur u helmua me agjentin nervor Novichok në vitin 2020.

Edhe vetë Navalny ka thënë se ai nuk mund të vazhdonte luftën e tij gjithnjë e më të dëshpëruar dhe të njëanshme kundër Kremlinit pa të.

Navalnaya ndau politikën e Alexei-t që në fillim – në vitet 2000 ata ishin të dy anëtarë të partisë liberale Yabloko.

Por ajo bëri një jetë relativisht private deri në helmimin e bashkëshortit të saj në vitin 2020, duke bërë pak paraqitje apo fjalime publike.

Koha po e thërret. Ajo mban një mbiemër të rëndësishëm, pas të cilit është lufta e pareshtur për demokracinë në Rusi.

Fjala e saj tani ka gjithë fuqinë që i duhet.

Navalny, martiri i fundit i shpresës për demokraci në Rusi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore