Lajme

212 arrestime në operacionin global të Frontex-it kundër trafikimit të qenieve njerëzore


Numërohen 212 të dyshuar të arrestuar dhe më shumë se 1 mijë e 400 viktima të mundshme të identifikuara në operacionin global të Frontex-it kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Midis 8-15 majit, Frontex u bashkua me Austrinë, Rumaninë, Europolin, Interpolin dhe 44 vende anembanë botës në një aksion global që synon trafikimin e qenieve njerëzore.

Objektivi ishte identifikimi, mbrojtja dhe referimi i viktimave të mundshme të trafikimit të qenieve njerëzore për ndihmë.

Operacioni Global Chain, pjesë e Ditëve të Veprimit të Përbashkët EMPACT, përfshiu një gamë të gjerë autoritetesh të zbatimit të ligjit, duke përfshirë policinë, rojet kufitare, shërbimet sociale dhe të mbrojtjes së fëmijëve.

Bëhet me dije se 130 mijë oficerë të zbatimit të ligjit kontrolluan 1.6 milionë njerëz, mijëra makina dhe vendndodhje dhe monitoruan më shumë se 8 mijë fluturime dhe 4 mijë pika kufitare.

Këto veprime specifike synonin ndërprerjen e rrjeteve kriminale që mund të shfrytëzonin viktimat në Amerikën e Jugut, Azi, Afrikë, Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainë.

Frontex aktivizoi të gjitha operacionet e saj të përbashkëta brenda dhe jashtë BE-së.

Po ashtu ndau tregues të rrezikut midis të gjithë pjesëmarrësve për t’i ndihmuar ata të identifikojnë viktimat e mundshme.

Frontex angazhoi gjithashtu operacionin e tij VEGA Children dhe kreu vizita në terren në pikat e përzgjedhura të kontrollit kufitar në kufijtë tokësor dhe ajror.

Frontex luan një rol aktiv në luftimin e krimit të qenieve njerëzore.

Agjencia trajnon rojet kufitare në të gjithë Evropën dhe kryen një sërë operacionesh në aeroportet ndërkombëtare, që synojnë zbulimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit, veçanërisht të fëmijëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore