Shqipëria

15% më shumë turistë në korrik-gusht, polakët dyfishohen nga 2019-a


Shqipëria ka qenë ndër të paktat vende, ku sezoni turistik ka pasur lehtësim të ndjeshëm të masave anti-COVID, për arsye të gjendjes së mirë epidemiologjike në vend dhe rezultatet, i ka dhënë.

Sipas të dhënave zyrtare nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit (TIA), pasagjerët që kanë udhëtuar me charter drejt vendit tonë, përjashtuar Turqinë dhe Egjiptin, janë rritur me 15%.

Ndryshimi i numrit të turistëve të ardhur me charter në Shqipëri nga viti 2019 në 2021 sipas TIA

Kjo, jo krahasuar me vitin 2020 ku ishte efekti i pandemisë, por me vitin 2019, kur kufijtë ka qenë tërësisht të hapur dhe pa kufizime.

Në korrik-gusht 2021, kanë qenë 174 mijë vajtje-ardhje, vetëm me charter.

Ndër ta, një rritje marramendëse kanë pasur polakët, të cilët janë dyfishuar.

Nëse në vitin 2019 vinin në Shqipëri me charter 44 mijë polakë, këtë vit numri i tyre ka shkuar në thuajse 81 mijë. Rritje kanë parë edhe pushuesit nga Ukraina. Nga 23 mijë dy vjet më parë, ata kanë ardhur në shifrën e 38 mijë këtë vit.

Grup turistësh në Tiranë

Shtetas nga Arabia Saudite kanë zgjedhur Shqipërinë gjithashtu si destinacion. Janë thuajse 9 mijë syresh, të cilët e kanë vizituar vendin duke ardhur me charter. Diçka më pak, janë gjermanët.

Ndërsa dyfishim, ka pasur edhe të turistëve rusë, të cilët nga 3 mijë, kanë ardhur në 6 mijë e 900.

Gjithsesi, përtej rritjes së mirë, ka pasur edhe vende, nga të cilët ka pasur rënie të turistëve. Ndër to, çekët kanë rënë nga 9 mijë në 7 mijë. Norvegjezët kanë parë një rënie të madhe, nga 7 mijë në 2 mijë.

Ndërsa më të madhen, e kanë parë turistët izraelitë, të cilët nga 9 mijë e 200, janë ulur në 1 mijë e 700.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore