Shqipëria

S’ka më ngërç, të martën rinis punën Komisioni i Shëndetësisë


Pas 4 mbledhjesh të dështuara, opozita dhe mazhoranca pritet t’i drejtohen sërish të martën tryezës së Komisionit për Shëndetësinë me tentativën e parë për të gjetur dakordësinë për planin paraprak të hetimit e kërkesat e dakordësuara për informacion.

Zhbllokimi i punës në Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi vjen pasi opozita kërkoi ndërhyrjen e Lindita Nikollës dhe pas një takimi që kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi pati me kryeparlamentaren.

Në këtë takim u informua se nuk ka një vendim politik të PS për të bojkotuar punën e komisioneve hetimore, por se palët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët brenda komisionit.

Partia Socialiste refuzonte të merrte pjesë në Komision prej 4 mbledhjesh, me argumentin se kryetarja Albana Vokshi e kishte kthyer në një proces partiak hetimi dhe se merrte vendime për të thirru mbledhjen, në mënyrë të njëanshme.

Komisioni Hetimor i Koncesioneve në Shëndetësi ka hartuar deri më tani vetëm listën e dëshmitarëve, ku do të thirret si dëshmitar kryeministri Edi Rama ish ministrat Beqaj e Manastirliu, ministrja Albana Koçiu e të tjerë funksionarë apo ish funksionarë të lartë të ministrisë së shëndetësisë.

Ky komision po heton koncesionet e check-up dhe sterilizimit ndërsa është tërhequr nga hetimi i hemodializës dhe laboratorëve mjekësorë.

Cilat janë pikat që pretendon PS?

-Konstatojmë me keqardhje, se edhe nëpërmjet kësaj shkrese, ashtu si edhe ne seancat e mbledhjes së komisionit, po tentoni të injektoni frymën e imponimit, paragjykimit dhe nxitimit për të realizuar një proces partiak politik e jo një “proces të rregullt ligjor”, bazuar mbi vlera e parime kushtetuese.

-Nëpërmjet shkresës Tuaj kuptojmë, që nuk po ecni në shtratin ligjor të funksionimit të një organi kolegjial dhe posaçërisht Komisionit Hetimor i cili ka një rregullim të posaçëm.

-Referuar nenit 13 të ligjit 8891, datë 02.05.2002 “Për Organizmin dhe Funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit” mbledhja e një komisioni hetimor që të konsiderohet e vlefshme kërkohet prezenca e 50+1 e anëtarëve të komisionit.

Si rrjedhojë Kryetarja e komisionit, përpara se të thërras një mbledhje duhet të sigurohet për prezencën e kourumit të kërkuar, për vlefshmërinë e mbledhje. E për ta siguruar këtë kourum, duhet të komunikojë me “shumicën e komisionit” për të kordinuar datën, orën, vendin dhe rendin e ditës së mbledhjes pasardhëse. Sigurisht që një gjë e tillë nuk realizohet me njoftime të njëanshme, që nuk kanë objektiv mirëfunksionimin dhe eficencën e punës së komisionit, por realizimin e shfaqjes mediatike të radhës, në funksion të agjendave partiake dhe jo atyre institucionale e kushtetuese.

-Referuar shkresës Nr.1231 prot. datë 03.04.2024 të nënshkruar nga 1/3 e anëtarëve të këtij Komisioni, pretendohet se anëtarët e maxhorancës kanë refuzuar të diskutonin pikën 4 të rendit të ditës që lidhej me “kërkesat për informacion”.

Fakti që ngatërroni edhe pikat e rendit të ditës, është tregues tjetër i seriozitetit insitucional me të cilin trajtoni punën e komisionit. Pika 4 e rendit te ditës ishte “caktimi i mbledhjes pasardhëse”, që Kryetarja e komisionit refuzoi ta merrte në shqyrtim, për të dakortësuar me anëtarët prezent mbledhjen e ardhshme.

-Pika 3 e rendit të ditës, nuk u miratua nga ana e komisionit, pasi neni 15 i ligjit Nr.8891 datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit” përcakton qartazi procedurën që duhet ndjekur për zhvillimin e veprimtarisë normale të Komisioneve Hetimore parlamentare, nën frymën e Kushtetutës dhe ligjit të posaçëm. Komisioni mbledh të dhëna për çështjen nëpërmjet ekspertëve ligjorë të zgjedhur dhe vetëm ekspertët ligjorë kanë tagrin t’ia raportojnë gjetjet e tyre Komisionit si dhe propozojnë planin e hetimeve.

-Ndërkohë që siç rezulton nga shkresa Juaj keni kërkuar për diskutim të njëjtën çështje për të cilën Komisioni ka marrë vendim.

-Deri në hartimin e këtij plani hetimor, Komisioni nuk ka arsye të mblidhet apo të vijojë me shqyrtimin e pikave të tjera në rend dite.

-Komisioni me vendim të ndërmjetëm miraton planin e hetimeve sipas propozimeve të ekspertëve deri në përfundimin e tyre. Plani i hetimeve përmban gjithë hapat proceduralë, veprimet hetimore që do të ndiqen nga komisioni për hetimin e çështjes, si dhe rrethin e personave që do të thirren. Pra vetëm pas miratimit të planit të hetimit të propozuar nga ekspertët, Komisioni deklaron fillimin e hetimeve dhe nuk mundet që kryetari i Komisionit Hetimor të paraqesë një plan të gatshëm hetimi pa u shprehur ekspertët, sipas procedurës që përcakton ligji specifik.

-Në shkresën e sipërcituar, 1/3 e anëtarëve të Komisionit Hetimor të Kuvendit për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimin Publik të Check-up në Shëndetësi, ka përcaktuar në mënyrë të njëanshme mbledhjen e radhës së komisionit për në datën 05.04.2024 si dhe rendin e ditës, bazuar në nenin 32.2 të Rregullores së Kuvendit, që referon tek mbledhjet e komisioneve të përhershme parlamentare, jo tek komisionet hetimore parlamentare.

-Bazuar në gjithë argumentimet e mësipërme, lind nevoja që jo vetëm datat e mbledhjeve të radhës, por edhe oraret e zhvillimit të tyre, vendi i zhvillimit dhe rendi i ditës, të vendosen me mirëkuptim mes palëve , për të patur mbledhje të vlefshme të komisionit hetimor.

-Njëkohësisht Ju bëjmë me dije, që ekspertët e propozuar nga ana jonë dhe të miratuar nga Komisioni, kanë filluar nga puna dhe po hartojnë një plan hetimi, që do i nënshtrohet më pas vendimmarrjes në komision. Do ishte në përputhje me frymën e ligjit që ekspertët e të dy palëve të koordinonin me njëri tjetrin për të realizuar një plan hetimi konsensual. Në momentin që ekspertët kanë realizuar planin e hetimit ne do kërkojmë mbledhjen e Komisionit për të miratuar këtë plan, si hapi procedurial i radhës i parashikuar nga ligji 8891.

-Duam t’Ju informojmë gjithashtu se nga ana e kryetares së Komisionit, në shkelje të plotë të detyrimeve të saj, nuk është depozituar në sekretarinë e komisionit, asnjë dokument i relatuar dhe diskutuar në mbledhjet e Komisionit, përfshirë këtu edhe deklaratat e konfliktit të interesit, që me aq pasion u valëviten publikisht në mbledhjen e fundit. Dokumentacioni i cili relatohet dhe diskutohet në mbledhjet e komisionit, duhet depozituar në sekretarinë e tij, për tu njohur nga ana e ekspertëve tanë dhe konsideruar si i administruar zyrtarisht nga Komisioni, në të kundërt ai dokumentacion konsiderohet i pavlefshëm për efekt të punës së Komisionit.

-Së fundi kërkojmë vëmendjen Tuaj në ndalimin e praktikës së përdorimit të logos dhe protokollit të Komisionit, sa kohë shkresa nuk është si pasojë e vendimmarrjes së Tij.

Vetëm shkresat e miratuara me vendim në mbledhje komisioni dalin me logon dhe protokollin e Komisionit. Komisioni Hetimor nuk është as 1/3, as 1/2 dhe as 2/3 e tij, por vendimmarrja kolegjiale e vlefshme e tij.

Çfarë pritet nga ky Komision?

Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi, ka bërë me dije se mes dëshmitarëve që do thirren lidhur me hetimin e dy koncesioneve do jetë edhe kryeministri Edi Rama.

Ajo tha se pyetja e dëshmitarëve do të bëhet sipas planit të veprimit të komisionit dhe do të zgjasë deri më 10 qershor.

Kështu në pyetje përpos Ramës do të merren: Ilir Beqaj ish-ministër i Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ish-ministre e Shëndetësisë, Shkëlqim Cani ish-ministër i Financave, Anila Denaj, ish-ministre e Financave, Albana Koçiu ish-drejtore e Departamentit të Administratës Publik, Klodian Rjepaj ish-zëvendësministri i Shëndetësisë si dhe administratorët e dy koncesionarëve.

Për të dëshmuar do të thirren edhe Endri Tafani dhe Pano Soko, nga Nisma Thurje.

Një ditë do të jetë e caktuar për: drejtuesit e qendrave spitalore universitare që nga nisja e zbatimit të dy komisioneve, kryetarët dhe anëtarët e komisioneve për dhënien e koncesioneve, anëtarët e KPP, drejtuesit e Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Avokatura e Shtetit.

PS bojkotoi Komisionin e Shëndetësisë, Vokshi: Çdo ditë që kalon ngushton kohën e hetimit parlamentar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore