Shqipëria

Pati të infiltruar në protestën e opozitës përpara Bashkisë? – Policia e quan lajm të pavërtetë


Policia e Shtetit e ka quajtur të pavërtetë lajmin e publikuar në disa portale se gjatë një proteste të opozitës zhvilluar para Bashkisë Tiranë, ka pasur një person të infiltruar, i cili më parë është dënuar me 12 vjet burg për vrasje në Itali.

Sipas reagimit të Policisë, lajmi i publikuar në media është i pavërtetë, pasi efektivi E.Z është i datëlindjes 2000. Sipas Policisë, kur ka ndodhur ngjarja, për të cilën flitet në portale, efektivi ka qenë vetëm 8 vjeç.

Një pretendim të tillë e pati publikuar edhe Flamur Noka, deputeti demokrat dhe një prej protagonistëve kryesorë të protestës, duke akuzuar pikërisht faktin se efektivi ka qenë i dënuar në Itali më parë.

Noka për argumentin e tij i është referuar disa publikimeve në media italiane.

Megjithatë, sipas Policisë, shkrimi i publikuar në Itali është i një ngjarjeje të ndodhur në vitin 2008, kur efektivi në fjalë ka qenë 8 vjeç.

“Publikime të tilla dashakeqe dhe të pavërteta, cenojnë imazhin e punonjësit të Policisë dhe të Organizatës së Policisë”, përmend Policia ndër të tjera në reagim.

Një ditë më parë, janë zbardhur edhe emrat e disa personave të arrestuar dhe proceduar gjatë trazirave të shkaktuara në një protestë përpara Bashkisë Tiranë të premten e 19 prillit, ku mes emrave janë edhe dy politikanë.

Siç bëhet me dije, janë proceduar sekretari për Aksionin Qytetar në grupimin e Rithemelimit, Klevis Balliu, si edhe Tedi Blushi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe njëherësh këshilltar bashkiak.

Të dy eksponentët ishin në ballë të protestës.

Policia tha se pas përfundimit të protestës janë kryer veprimet procedurale, është këqyrur vendi i ngjarjes, ku janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale objekte dhe sende të hedhura në drejtim të Bashkisë Tiranë të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike.

Për përdorimin e materialeve piroteknike janë arrestuar në flagrancë shtetasit Kevin Vidrica dhe Bernard Metaliaj, ndërsa në kërkim janë edhe dy persona të tjerë ende të pa identifikuar.

Sakaq, për dhunën ndaj efektivëve të policisë është shtetasi Franc Kaloshi banues në Lushnjë si dhe janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit Klevis Balliu, Tedi Blushi, Enri Vrenozi, Dardan Bardhi. Gjithashtu, janë shpallur në kërkim policor Avni Tobli, Rubin Dashi, Artan Muçmata, Joni Hoxha, Besim Ziri, Besar Gjeçaj, Erjon Prenga  dhe Alfred Pellumbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore