Shqipëria

Marrëveshja me Italinë për emigrantët/ Qendrat nuk hapen në maj, punimet përfundojnë në nëntor


Puna fillon më 23 mars, por dorëzimi pritet pas 233 ditësh, pra më 10 nëntor.

Kështu shkruan italiania “La Repubblica”, e cila ka lexuar vendimin e Ministrisë italiane të Mbrojtjes që i besoi inxhinierëve ushtarakë ndërtimin e qendrave për emigrantët në Shqipëri.

Këto të fundit, megjithatë, sipas synimeve të kryeministres, Giorgia Meloni, dhe mbi të gjitha tenderit për menaxhimin e qendrave, duhet të kishin hapur dyert në datën 20 maj.

Kjo pikërisht në kohën e duhur për të mbledhur rezultatin e asaj që qeveria e vendit fqinj e konsideron si zgjidhje inovative për të lehtësuar Italinë nga barra e pritjes së emigrantëve.

Do të duhen muaj

Në portin e Shëngjinit dhe në ish-bazën ushtarake të Gjadrit punimet sapo hedhin hapat e parë, po kryhen inspektime të cilat po nxjerrin në pah edhe një sërë vështirësish në zonë.

Është e pamundur që qendrat të jenë gati deri në maj, do të duhen muaj, do të kalojë e gjithë vera.

Dhe, përtej propagandës qeveritare italiane, dokumentet e para zbulojnë blofin e operacionit Shqipëri, kostot e të cilit vazhdojnë të rriten dhe rrezikojnë të arrijnë shifrën e një miliardë eurosh në pesë vjet.

Sepse shifrave zyrtare, tashmë shumë të larta, të cilat arrijnë në rreth 150 milionë euro në vit shumëzuar me pesë vjet, duhet t’i shtohen edhe kostot e pakonsiderueshme: ato të rimbursueshme në fund të listës, për transportin dhe kujdesin shëndetësor dhe, për sa i përket strukturave, nënkontraktat “pa kufij shpenzimesh”, siç thuhet në rezolutën e Mbrojtjes.

Fondet ekstrabuxhetore të devijuara

Gjithashtu kostot e ndërtimit të dy qendrave, ajo e pritjes në portin e Shëngjinit dhe kampi në Gjadër, duhet të konsiderohen buxhet shtesë.

Punimet që i janë besuar inxhinierëve do të kushtojnë rreth 65 milionë euro.

“Çdo ditë që kalon blofi i marrëveshjes Itali-Shqipëri bëhet gjithnjë e më i qartë”, thotë Matteo Mauri.

Sipas tij, kostot rriten çdo muaj.

“Në një dekret të marsit shtuan edhe 65 milionë euro të tjera, duke thyer tavanin prej 700 milionësh. Një shumë joproporcionale parash për të bërë diçka krejtësisht të padobishme”.

Është dhënë tenderi për menaxhimin e qendrave

Në ditët në vijim Ministria e Brendshme italiane do të shpallë tenderin 36 milionë euro për menaxhimin e qendrave.

Në shqyrtim janë ofertat e tre kompanive të përzgjedhura nga tridhjetë pjesëmarrësit.

Ende për t’u shpallur është ai për furnizimin me module parafabrikate që do të vendosen në zonat kur inxhinierët dhe nënkontraktorët të kenë përfunduar gërmimin e tyre, rikuperimin, ndërtimin e kanalizimeve dhe sistemeve – pa kufi shpenzimesh.

Marrëveshja me Italinë: Qendrat në Shqipëri hapen më 20 maj, dritëhijet e tenderit italian

Marrë nga “Repubblica”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore