Lajme

BE-ja kërkon nga Kosova dhe Serbia të gjejnë zgjidhje evropiane për dinarin


Ilustrim

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një përgjigije për Radio Televizionin 21 (RTV21) të hënën, kërkoi nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të sillen në mënyrë evropiane nëse duan të gjejnë zgjidhje për çështjen e dinarit serb në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.

“Rezultati i bisedimeve të vazhdueshme varet vetëm nga aftësia e të dyja palëve për t’u sjellë në mënyrë evropiane dhe për të gjetur një zgjidhje të pranueshme reciprokisht”, deklaroi Stano pas ciklit të ri të takimeve për dinarin që u mbajt në fund të javës së kaluar në Bruksel të Belgjikës nën ndërmjetësimin e BE-së, por që fatkeqësisht, rezultoi pa sukses.

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas raundit të ri të takimeve të pasuksesshme që u zhvilluan më 18 prill për çështjen e dinarit, njoftoi se palët u pajtuan që t’i vazhdojnë përpjekjet këtë javë për të gjetur një zgjidhje të përkohshme mbi rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që ndaloi përdorimin e monedhës serbe.

“Sot prita një sërë takimesh bilaterale me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të vazhduar diskutimet për një zgjidhje të përkohshme për ata që janë prekur nga vendimi i BQK-së. Palët ranë dakord të vazhdojnë përpjekjet javën e ardhshme bazuar në propozimet konkrete”, shkroi diplomati sllovak në platformën “X” pas maratonës diplomatike të 18 prillit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator të palës kosovare, deklaroi pas takimit se pala serbe s’e pranoi as këtë hërë propozimin fillestar të Lajçakut për zgjidhje të përkohshme, por ata kanë insistuar në propozimin e tyre për çështjen e dinarit serb, ndërsa në përgjithësi e cilësoi “takim të kotë” raundin e ri të negociatave.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, pretendoi se pala serbe bëri “gjithçka” për të gjetur një zgjidhje, ndërsa akuzoi palën kosovare se erdhi në kryeqendrën evropiane pa adresuar idetë e BE-së për zgjidhjen e nyjes që, sipas tij, tregon se Kosova nuk dëshiron të pajtohet për asgjë.

Megjithatë, për shkak se palët nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e fundit, terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë këtë javë , ndërsa mbetet për t’u parë nëse lista e “skenarëve të dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet apo do të gjendet një zgjidhje në dialog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore