Kosova

Zyrtari i BE-së: Borrell i tha Kurtit se masat e Unionit ndaj Kosovës largohen nëse takimi i 14 shtatorit ka sukses


Albin Kurti dhe Josep Borrell

Bashkimi Evropian mund t’i largojë ose t’i shtojë masat shtrënguese të vendosura Kosovës varësisht nga rrjedha e situatës në terren dhe dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Radio Evropa e Lirë duke u thirrur në burime diplomatike brenda BE-së po raporton se shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka diskutuar çështjen e masave me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, gjatë rundit të fundit të dialogut më 14 shtator.

Borrell, sipas REL, i ka thënë Kurtit se është i gatshëm të rekomandojë heqjen e masave nëse do të raportonte për sukses në takim, bisedimet të cilat përfunduan pa ndonjë rezultat meqë Kosova nuk pranoi një propozim të BE-së për marrëveshjen për normalizim, andaj nuk pati edhe lëvizje sa i përket masave.

Zyrtari i BE-së ndër të tjera i ka thënë REL-it se masat ndaj Kosovës janë fleksibile, të përkohshme, mund të hiqen, por edhe të shtohen, pasi për to janë pajtuar 27 shtetet anëtare të bllokut të cilat nuk i vënë në dyshim masat.

Pas takimit të 14 shtatorit, i deleguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar ambasadorët e shteteve anëtare në Komitetin për politikë dhe siguri të BE-së për rrjedhën e bisedimeve.

Ndonëse aty, sipas burime diplomatike është përsëritur thirrja për “një qasje të balancuar kur janë në pyetje masat”, Lajçak ka marrë mbështetjen për punën e tij, dhe sipas të njëjtave burime, “askush nuk ka vënë në dyshim masat ndaj Kosovës”.

Takimi Kurti – Vuçiç në Bruksel

Ambasadorët kanë kërkuar që masa të tilla të shqyrtohen edhe për Serbinë sepse ka shumë shtete që besojnë se Kosova nuk është e vetmja fajtore për tensionet në Veri.

Burimet në BE kanë thënë se shtetet e bllokut “po monitorojnë edhe sjelljen e Serbisë” dhe se “lehtësuesit do të preferonin sikur të mos kishte fare masa ndaj asnjërës palë”.

Në pyetjet se pse atëherë vetëm njëra palë, në këtë rast Kosova, është duke u përballur me masa ndëshkuese e Serbia jo, një zyrtar i BE-së tha se “masat janë specifike dhe kanë të bëjnë ekskluzivisht me hapat për shtensionimin e situatës në Veri” të Kosovës.

“Vendet anëtare po monitorojnë edhe sjelljen e Serbisë. Serbia nuk ka bërë asgjë për të zbatuar obligimet e saj nga marrëveshja. Ka mundur të bëjë shumë gjëra në mënyrë të njëanshme, si për shembull sa i përket njohjes së dokumenteve”.

“Nuk ka pasur nga ana e Serbisë as masa, e as dënim të njerëzve përgjegjës për dhunën në Veri të Kosovës, edhe pse identiteti i tyre është i njohur”, tha një zyrtar i BE-së, i cili shtoi se mund të jetë e gjatë lista e gjërave që nuk ka bërë Serbia.

Megjithatë, ky zyrtar tha se “duhet së pari Kosova të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pasi është një proces i gjatë dhe ne pastaj do të siguronim që Serbia t’i kryejë detyrat e veta”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore