Sport

Zyrtare: Shqipëria përballet me Spanjën në miqësoret e marsit


Kombëtarja e Shqipërisë do të përballet me Kombëtaren e Spanjës, në ndeshje miqësore. Sfida do të luhet më 26 mars të 2022-shit.

Të dy federatat përkatëse janë dakordësuar që ndeshja të luhet në Spanjë. Ndërkohë, stadiumi dhe ora kur do të zhvillohet takimi nuk është përcaktuar ende.

Kjo do të jetë ndeshja e parë miqësore mes këtyre dy përfaqësueseve, të cilat deri më tani kanë luajtur ndaj njëra-tjetrës shtatë sfida, të gjitha të vlefshme për kualifikueset e kampionateve europiane dhe botërore.

Shqipëria ka zhvilluar dy ndeshje me Spanjën, në kuadër të kualifikueseve të kampionatit Europian 1988. Ndeshja e parë u zhvillua në vendin tonë, në stadiumin “Qemal Stafa” më 3 dhjetor të vitit 1986 dhe u fitua nga spanjollët me rezultatin e ngushtë 1-2.

Goli i vetëm për kuqezinjtë u shënua nga Shkëlqim Muça. Ndërsa në ndeshjen e dytë në Spanjë, më 18 nëntor 1987 Shqipëria u mund me shifrat 5-0.

Ndërkaq, sfida e tretë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 1992 u zhvillua në Spanjë,  më 19 dhjetor 1990, që përfundoi në favor të spanjollëve që fituan 9-0.

Katër sfidat e tjera janë zhvilluar të gjitha në kuadër të kualifikueseve për Kampionat Botëror, përkatësisht Kampionati Botëror 1994 dhe Kampionati Botëror 2018, ku Shqipëria nuk ka arritur të fitojë asnjë prej këtyre ndeshjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore