Shqipëria

Zv.presidenti i Mandiant për Albanian Post: Kjo është përgjigja më e ashpër në histori ndaj një sulmi kibernetik


Shqipëria ka ndërprerë çdo raport diplomatik me Iranin më 7 shtator, pas një deklarate të kryeministrit Edi Rama, i cili shpjegoi se sulmi kibernetik i ndërmarrë ndaj vendit më 15 korrik, ka ardhur pikërisht nga Teherani.

Brenda 24-orëve, zyrtarët iranianë duhet të largohen menjëherë nga Shqipëria pas këtij vendimi, i cili bëri bujë ndërkombëtare, duke qenë se përfshin në mënyrë të tërthortë edhe vetë aleancën e NATO-s.

Ndërkaq, një reagim mbi çështjen, Albanian Post e ka marrë edhe nga kompania amerikane, e cila operon në fushën e sigurisë kibernetike, Mandiant.

Kjo e fundit, ka qenë kompania e parë, e cila ka publikuar të dhëna mbi sulmin kibernetik të 15 korrikut dhe nëpërmjet një raporti të detajuar, ka shpjeguar se si grupet e hacker-ëve iranianë, qëndrojnë pas tij.

Zëvendëspresidenti i Mandiant, John Hultquist, mbi çështjen, ka thënë për Albanian Post se “kjo është përgjigja më e ashpër publike që i është bërë ndonjëherë një sulmi kibernetik nga një shtet”.

“Kemi parë herë pas here pasoja diplomatike mbi akte të tilla”, shpjegon më tej ai, “por ato kurrë nuk kanë qenë kaq të serta sa ky veprim i Qeverisë shqiptare”.

Një ndër çështjet me rëndësi, është edhe fakti se si këto grupime iraniane të mbështetura edhe nga Teherani, kryejnë sulme të tilla agresive, kryesisht në Lindjen e Mesme.

Mirëpo, me rastin shqiptar, ky është një tregues se ato nuk ndalen aty.

Madje, sulme të tjera të ngjashme, mund të ndërmerren përsëri, pasi qëndrimi i Iranit në të shkuarën ka qenë i tillë, që të lë të kuptosh se nuk do të ndalen, siç artikulon Hultquist.

Ky incident, përfshi atë në Malin e Zi javë më parë apo të ditëve të fundit në Kosovë, janë një kujtesë se si sistemet qeveritare, përfshi të vendeve të aleancës së NATO-s, janë vulnerabël ndaj sulmeve.

Megjithatë, pak gjasë ka sipas tij, që sulmet në tre shtetet, të jenë të lidhura me njëra-tjetrën.

Veçse, infrastrukturat qeveritare dhe mbrojtja e tyre, duhet të kthehen në prioritet të gjithë shteteve.

Vendimi

Qeveria shqiptare ka ndërprerë të mërkurën e 7 shtatorit marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit.

Kjo e fundit ka kohë 24 orë për të larguar misionin e saj diplomatik nga territori shqiptar.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

“U zbulua se sulmi i 15 korrikut nuk ishte një operacion individësh, por një agresion shtetëror. Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit”, u shpreh fillimisht Rama.

Sipas tij, katër grupe iraniane janë organizuar për sulmin kibernetik në Shqipëri.

Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron.

Hetimi, shtoi Rama, është kryer në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjital, të cilat sollën në Tiranë skuadrat e tyre.

Kreu i qeverisë shqiptare vërejti se objektivi i sulmit ishte shkatërrimi i infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, paralizimi i shërbimeve publike, si edhe grabitja e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare.

“Krahasimisht me objektivat e agresorit, dëmet mund të konsiderohen të vogla. Sistemet u rivunë të gjitha në punë dhe asgjë nuk u zhduk pa kthim”, garantoi kryesocialisti.

Rama shtoi se autoritetet shqiptare kanë informuar aleatët strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike për rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit që provon burimin e agresionit ndaj Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore