Kosova

Zv.ndihmës Sekretari Amerikan për situatën në Veri: S’ka nevojë të dërgohen forca speciale aty ku kemi KFOR-in


Një pjesëtar i Njësisë Speciale të Kosovës

Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, është deklaruar për çështjen e reciprocitetit për targat ndaj Serbisë duke thënë se të dy palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe ta përqendrojnë vëmendjen dhe energjinë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Shikoni, më duhet të them se ne jemi shumë të angazhuar në këtë çështje me partnerët tanë evropianë. Ne besojmë se të dyja palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe të dyja palët duhet ta përqendrojnë vëmendjen dhe energjinë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ne e mbështesim këtë dialog 100 për qind dhe unë jam në kontakt të përditshëm me Miroslav Lajçakun”, deklaroi Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ai u shpreh, se janë shumë të angazhuar në këtë çështje me partnerët evropianë, ndërsa sipas tij është në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake dhe të mos dërgojnë Forca Speciale në një vend ku është KFOR-i.

“Por varet nga të dyja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, u takon atyre të shkojnë në Bruksel dhe ta trajtojnë këtë çështje”.

Kurse shtoi se, “është gjithashtu në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë Forca Speciale në një vend ku kemi KFOR-in. Nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme”.

Escobar, deklaroi se dialogu Kosovë-Serbi përfshinë një numër të çështjeve.

“Për sa i takon çështjes më të gjerë të dialogut, ka shumë gjëra në tryezë, duke përfshirë disa çështje të menjëhershme, që mendoj se duhet të ndodhin, si ajo e personave të zhdukur, ose ajo e energjisë, për shembull. Por përsëri, përmes dialogut, ky është kanali të cilin ne e mbështesim”.

Dhe po ashtu, theksoi se “dialogu ka nevojë për mbështetje nga Bashkimi Evropian”.

Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar,

Në Bashkimin Evropian janë pesë vende që nuk e kanë njohur Kosovën, sipas tij njohja nga këto vendo do të ndodhë shumë shpejt.

“Mendoj se në fund, nëse arrihet përparim në Bashkimin Evropian, në procesin e udhëhequr nga BE-ja, njohja nga këto pesë vende do të ndodhë. Nuk është se këto pesë vende besojnë se Kosova dhe Serbia nuk duhet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, por për arsyet e tyre të brendshme, kanë vendosur të presin për të parë rezultatet e dialogut. Prandaj dialogu është i rëndësishëm”.

Zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit amerikan për Evropën Jugore dhe Qendrore, Serbinë e konsideron një partner të mirë në shumë prej çështjeve.

“Serbia është një partner i mirë. Ata janë partnerë të mirë në shumë çështje, si ajo e bashkëpunimit në fushën e zbatimit e ligjit, apo në disa prej përpjekjeve tona për migrimin për shembull. Ata po punojnë shumë ngushtë me ne për shumë çështje, qofshin rajonale apo bilaterale. Serbia është motori ekonomik i rajonit dhe e hapur për integrim ekonomik me pjesën tjetër të rajonit. Presidenti Vuçic na ka siguruar se ndërsa ai po bën përpara në nismën për Ballkanin e Hapur, ai është i hapur për të gjashtë (vendet)”, pohoi Escobar.

Dy pjesëtarë të njësiteve serbe duke vëzhguar në Jarinje

Ai bëri të ditur se, “ka diçka që njerëzit nuk e kuptojnë, se Rusia nuk investon në Serbi. Rusia nuk i jep ndihmë humanitare Serbisë. Ndërsa Kina, nuk ka investime cilësore si ato që ne ofrojmë. Kështu që Hoyt Yee kishte të drejtë, Serbia nuk mund të ulet në dy karrige.

Por që, “nga ana kulturore, ekonomike, sociale, ata kanë bërë një zgjedhje dhe na takon ne t’i ndihmojmë të lëvizin në këtë drejtim, në mënyrë konkrete, përmes anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Për shkak të Bullgarisë kohët e fundit Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë bllokuar, ai thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shumë për t’i dhënë Bashkimit Evropian.

“Për sa i takon çështjes së lodhjes nga zgjerimi; vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë shumë për t’i dhënë Bashkimin Evropian, do ta bëjnë Bashkimin Evropian më të fortë, do ta bëjnë atë ekonomikisht më të qëndrueshëm, sepse këto vende janë mjaft konkurruese”.

Përveç kësaj, ai sqaron se përparësia kryesore e tyre do të jetë integrimi më i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian

“Nëse shikoni sjelljen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në NATO, ato kanë qenë anëtare të forta. Ato kanë qenë kontribuues të mëdhenj dhe kanë qenë partnerë besnikë. Pra, kjo është ajo që Bashkimi Evropian mund të presë nga këto dy vende. Pra, po, ne do të angazhohemi me partnerët tanë evropianë për të gjetur një mënyrë për t’i bërë ata të lëvizin shpejt në procesin e anëtarësimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore