Lajme

Zotimi i harruar zgjedhor i LVV-së , Zyra e OBSH-së në Kosovë ende nëndegë e Beogradit


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

“Dhe, pa dyshim, do të përgatitemi dhe aplikojmë për anëtarësim në Organizatën Botërore të Shëndetësisë”.

Ky është një zotim i fushatës “Krejt dhe Drejt” i Lëvizjes Vetëvendosje brenda programit garues të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit, zgjedhje këto që kulmuan në një fitore të madhe të këtij formacioni politik.

Premtimi kujdeset të asgjësojë çfarëdo dileme se aplikimi do të ndodh. Mund ta gjeni në planprogamin e botuar të LVV-së, brenda kontekstit të premtimeve në kapitullin “Shëndeti Publik”.

Albin Kurti, kanditat për kryeministër në garën zgjedhore të 14 shkurtit – tash Kryeministër i Kosovës.

Një vit e gjysmë qeverisje, përgatitjet dhe aplikim nuk ka ndodhur.

Pyetur nga Albanian Post, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se “Kosova do të aplikojë për anëtarësim në OBSH”.Por, në një të ardhme të papërcaktuar, “kur gjasat për pranim të jenë reale”.

“Në momentin kur për këtë të ketë një dakordim edhe me partneret strategjikë, në momentin e përshtatshëm dhe kur gjasat për pranim të jenë reale”, ka thënë MSH-ja për Albanian Post.

“Brenda planit qeverisës te Qeverisë së Republikës së Kosovës 2020-2023 është paraparë aplikimi për anëtarësim në këtë agjensi të specializuar të OKB-së”, thotë MSH, por shton se për këtë gjë “ka kritere”.

“Kriteret janë: arritja e votave te mjaftueshme, mbi 94 vende të votojnë PËR, apo përmes pranimit te Kosovës ne OKB që me automatizëm do të nënkuptonte edhe anëtaresimin në organizata të saj si OBSH”.

Përveç faktorëve numerikë, MSH tregon se ka edhe gjëra tjera që duhet konsideruar para aplikimit në OBSH – faktorin gjeopolitik.

Megjithatë, MSH siguron se Kosova ka “zyren e OBSH-së në Prishtinë” dhe se “është pjesëmarrëse në konferenca e ngjarje të organizuara nga OBSH” si dhe është “përfituese e projekteve dhe asistences së OBSH-së”.

Por, zyra për të cilën flet MSh në fakt është nën-zyre dhe futet nën ombrellë të Zyrës së OBSH-së së Beogradit.

“Kosova në OBSH përfaqësohet përmes zyrës në Beograd. Kjo është e papranueshme”, shpjegon për Albanian Post, njohësi i çështjeve të shëndetësisë, Bujar Vitija.

Njohësi i çështjeve të shëndetësisë, Bujar Vitija

Kjo zyrë ende thirret në Rezolutën 12/44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe siç shpjegohej në vitin 2017 kur u regjistrua nën përgjegjësinë e Zyrës së Beogradit  “Rezoluta obligon ligjërisht të gjitha entitetet e sistemit të OKB-së”, ndonëse si organizatë shëndetësore do të duhej të operonte neutrale për nga statusi.

“Sigurisht që Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte përpjekje për t’u anëtarësuar në OBSH”, deklaroi Bujar Vitija.

Megjitatë, Vitija prospektin e anëtarësimit të Kosovës në OBSH e sheh jo edhe shumë real, në dritën e pozicionit politik në nivel botëror ku qëndron Kosova.

“Fatkeqësisht ndoshta është e vështirë me u pranu në OBSH meqë nuk jemi anëtar të OKB-së, mirëpo Qeveria do të duhej të bënte përpjekje në këtë drejtim, së paku të aplikonte”, shpjegoi ai.

“Nëse Kosova do të anëtarësohej në OBSH do të përfitonte shumë lehtësira në rastet sikurse pandemia Covid-19. Do të kishim më shumë përkrahje nga kjo organizatë në situata emergjente”, i tha Vitija AP-së.

Ministria e Shëndetësisë, e udhëhequr nga Rifat Latifi, njëjtë si në 2017 nga ministri i atëhershëm Imet Rrahmani, thotë se “aplikimi do të ndodh”, por kjo e sotmja thotë “në të ardhmen”.

Ministri i Shëndetësisë në Republikën e Kosovës, Rifat Latifi

“Aplikimi duhet të marrë në konsideratë disa faktorë, një planifikim dhe koordinim me të gjithë mbështetësit dhe momentin kur kjo realisht është e mundur të ndodh”, tha MSH.

Kjo ministri për Albanian Post tha se duhet nxjerrë mësimet nga kaluara, përkatësisht nga dështimi për anëtarësim në UNESCO dhe Interpol.

“Përvoja nga aplikimi në organizata të tjera, ka dëshmuar se rezultati pozitiv sigurohet vetëm kur ka një dakordim të plotë me partnerët e fuqishëm të Kosovës dhe me mbështetjen e tyre”, përfundoi Ministria e Shëndetësisë.

Zyrja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për herë të parë u hap në Prishtinë në vitin 1998 brenda kuadrit të Zyrës Rajonale për Evropë.

Në 2017’ën, zyrja ndërroi statusin dhe u fut si pjesë e degës së Zyrës Shtetërore Serbe të OBSH-së.

Si rezultat, kjo zyre tashmë operon vetëm si nëndegë e Zyres Shtetërore Serbe të OBSH-së.

Organizata Botërore e Shëndetësisë

Zyrtarët e OBSH-së në Prishtinë kishin deklaruar se ndryshimi i statusit të zyres është kthim mbrapa dhe dhe përbën edhe vetë shkelje të Rezolutës 1244, në të cilën thirrej ky vendim, pasi që zyret në Kosovë nuk duhet të kenë lidhje me zyret në Beograd.

Rezistenca, megjithatë, mbeti frymë në ajr dhe statusi u ndërrua.

Lëvizja Vetëvendosje ka edhe 2 vjet e gjysmë mandat për ta realizuar zotimin e saj ndaj të cilit “s’duhej të kishte dyshim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore