Shqipëria

Zhvillohet mbledhja e parë e Komisionit Hetimor ndaj Metës


Është zhvilluar mbledhja e parë e Komisionit Hetimor të ngritur ndaj presidentit Ilir Meta, për shkelje të Kushtetusët, me pretendimet e Partisë Socialiste se presidenti, ka bërë thirrje për dhunë në fushatën zgjedhore të 25 prillit.

Ky komision është ngritur me firmën e 49 deputetëve dhe pritet të hetojë deklaratat dhe veprimtarinë e Metës, sipas pretendimeve të mazhorancës.

Pjesë e këtij komisioni, do të jenë nëntë anëtarë. Kryetari, do të jetë deputeti socialist, Alket Hyseni. Zëvendëskryetar, do të jetë përfaqësuesi i opozitës parlamentare, Myslym Murrizi. Sekretare e komisionit ndërkaq, do të jetë socialistja Klotilda Bushka.

Anëtarët e komisionit, do të jenë: Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka dhe Arlind Çarçani.

Zëvendësues, do të jenë anëtarët Ermonela Felaj, Xhemal Qefaliaj dhe Eugen Bojaxhiu.

Në fjalët e para të mbajtura, është dakordësuar se opinioni i Komisionit të Venecias, do të merret parasysh në seancat e mbledhës së këtij organi.

Gjithashtu, është kërkuar nga deputetja Vasilika Hysi, se mediat dhe presidenti, duhet të vihen paraprakisht në dijeni mbi mbledhjet që do të zhvillohen.

Prononcimet ndërkaq nuk do të bëhen nga anëtarët e komisionit. Pamjet filmike të presidentit dhe thirrjeve të tija janë kërkuar si prova shqyrtimi.

Ky komision i posaçëm, do t’i paraqesë Kuvendit një raport. Ky i fundit, nëse e voton shkarkimin e Metës, e çon çështjen më pas në Gjykatën Kushtetuese.

Kushtetuesja, është ajo që ka vendimin përfundimtar mbi fatin politik të presidentit, nëse ai qëndron në detyrë apo jo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore