Lajme

Zelensky thirrje për bojkot tregtar me Rusinë: Lërini t’i ushqejë lufta


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i bëri thirrje të gjitha shteteve që të bojkotojnë marrëdhëniet tregtare me Federatën Ruse.

Kreu i shtetit bëri thirrje gjithashtu për bojkot të furnizimit të mallrave në Federatën Ruse.

“Nëse nuk mund t’u përmbahen rregullave të qytetëruara, atëherë nuk duhet të marrin as mallra dhe shërbime. Le t’i ushqejë lufta”, theksoi Zelensky.

Këtë ai e deklaroi përmes një video-mesazhi.

“Ne mbrohemi nga pushtimi në ditën e 12-të. Këtë luftë nuk e deshëm kurrë, por na e sollën. Nuk kemi ëndërruar të vrasim, por duhet ta rrëzojmë armikun nga toka dhe nga jeta jonë. Ne duhet të durojmë atë që asnjë popull tjetër i Evropës nuk e ka parë në 80 vite. Dhe është në tokën tonë që vendoset nëse dikush tjetër në Evropë do të bëhet viktimë e të njëjtit agresion”, u shpreh presidenti ukrainas.

Sipas tij, nëse pushtimi vazhdon dhe Rusia nuk ka hequr dorë nga planet e saj kundër Ukrainës, atëherë nevojitet një paketë e re sanksionesh.

“Ne kemi nevojë për një bojkot të eksporteve ruse, në veçanti, Refuzimi i naftës dhe produkteve të naftës nga Rusia. Kjo mund të quhet embargo, ose thjesht moral. Kur refuzon t’i japësh para një terroristi”, nënvizoi Zelensky.

Më shumë se 100 kompani të ndryshme të huaja kanë mbyllur tashmë dyqanet e tyre dhe janë larguar nga Federata Ruse. Prodhuesit finlandezë të produkteve Valio dhe Paulig kanë marrë të njëjtin vendim.

Përveç kësaj, Diageo (markat Johnnie Walker, Guinness), Pernod Ricard (markat Chivas Regal, Jameson) dhe Heineken pezulluan eksportet në Federatën Ruse, ndërsa Danone dhe Carlsberg pezulluan projektet e investimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore