Lajme

Zejnullahu: Familja presidenciale e Kosovës po gërryen buxhetin


“Familja presidenciale e Kosovës, Osmani-Sadriu, po e gërryen buxhetin e varfër të Kosovës, me paga luksoze, të cilat e kalojnë shifrën e mbi 70 mijë euro vetëm për 1 vit”, ka thënë deputetja e PDK-së, Florenta Zejnullahu, në seancën e mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës.

“Sot Kosova ka një Presidente që e bënë burrin ambasador, e ai qëndron më shumë në Prishtinë. Vjosa Osmani do të duhej që së paku moralisht të kërkonte nga bashkëshorti ta pezullojë përkohësisht punën e tij, e jo ta gërryej buxhetin e Kosovës pa shkuar fare në punë”.

Ajo përmendi edhe deklarimin e pasurisë së tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ku thotë se Presidentja Osmani merr nga buxheti i Kosovës më shumë se 33 mijë euro pagë për 1 vit, kurse bashkëshorti i saj i cili është avancuar tash në diplomaci, merr mbi 36 mijë euro paga për 1 vit.

“Pra, familja presidenciale, Osmani-Sadriu i marrin buxhetit të Kosovës më shumë se 70 mijë euro vetëm paga gjatë një viti”, është shprehur Zejnullahu.

Ajo i krahasoi pagat e familjes presidenciale me pagën minimale në Kosovë, e që sipas saj i bie që Presidentja i merr 16 rroga minimale për një muaj.

“Paga minimale në Kosovë është 170 euro, kjo i bie që presidentja Vjosa Osmani i merr 16 paga minimale të Kosovës për një muaj. Po ashtu bashkëshorti i saj i bie që i merr 17 paga minimale, apo së bashku marrin gjatë një muaji 33 paga minimale të shtetit tonë”, tha ajo.

Gjithashtu foli për mënyrën e jetesës që po e bëjnë pushtetarët e rinj, ku pa akuza nuk shpëtuan as Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti.

“Ky pra është morali i këtij pushteti të udhëhequr nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani të cilët fituan votat duke kërkuar barazi në paga e pasuri, ndërsa vet marrin para të majme dhe jetojnë në lagje luksoze, e për pushime mos të flasim, ato i bëjnë në Greqi dhe Turqi në resorte luksoze. E harruan Shqipërinë”, tha ajo

Ajo akuzoi Kurtin se po e harron turizmin kombëtar dhe e gjithë përmendja e Shqipërisë dhe e forcimit të ekonomisë kombëtare ishte veç një “shtihim”.

Sipas saj Kosova ka Presidente dhe Kryeministër të papërgjegjshëm, të cilët kanë filluar të koordinohen që të ikin nga përgjegjësitë që kanë.

“Për fat te keq është shumë e qartë që Kosova ka Presidente dhe Kryeministër të papërgjegjshëm, të cilët veç kanë filluar rrëzimin e vetes nga pozicionet qe mbajnë si Presidente përkatësisht kryeministër”, tha Zejnullahu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore