Lajme

Zbatimi i Marrëveshjes Bazë dhe çështjet urgjente të dialogut tema diskutimi mes Lajçak-ut dhe Bislimit


Miroslav Lajçak dhe Besnik Bislimi

Zbatimi pa vonesa i Marrëveshjes Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars) dhe çështjet urgjente të dialogut Kosovë-Serbi, kanë qenë qendra e diskutimit në mes të Miroslav Lajçak-ut dhe Besnik Bislimit.

Kështu ka bërë të ditur përmes një postimi në platformën X, i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, pas takimit që ka pasur në Prishtinë me kryengociatorin kosovar.

“Në Kosovë për një diskutim të rëndësishëm dhe të detajuar mbi Dialogun me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Theksuam nevojën për zbatimin pa vonesë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit dhe adresuam çështjet urgjente që prekin Dialogun”, shkroi ai.

Diplomati sllovak theksoi se me Bislimin “ramë dakord të vazhdojmë diskutimin tonë së shpejti”.

Ndërsa, Lajçak në një konferencë për shtyp pas takimit me Bilsimin, njoftoi se do t’i ftojë Kosovën dhe Serbinë për një raund të ri të dialogut në nivel të kryenegociatorëve mbi rregulloren e ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

“Unë planifikoj që në ditët në vijim të organizoj një takim në nivel të kryenegociatorëve, andaj kjo është arsyeja kryesore e vizitës në Prishtinë”, deklaroi diplomati sllovak, ku bëri të ditur se në takim u diskutua edhe për “hapat e mëtejshëm” drejt zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese midis Kosovës dhe Serbisë.

Duke konsideruar se Marrëveshja Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023) është marrëveshja më e mirë që Kosova dhe Serbia mund të arrijnë momentalisht në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndër-shtetërore, ai shtoi se është në interesin e të gjitha palëve të angazhuara që të ketë progres dhe të fillojë impelementimi i marrëveshjeve.

“Kjo marrëveshje është marrëveshja më e mirë që Kosova dhe Serbia mund të arrijnë. Unë jam i sigurt për këtë. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, ne do ta kishim propozuar tashmë. Prandaj është në interes të secilit që ajo të zbatohet. Në këtë marrëveshje i kemi të gjitha përgjigjet – çfarë të bëjmë dhe si t’i bëjmë”, theksoi Lajçak para gazetërve të pranishëm.

Bislimi pritet të negociojë edhe me Petkoviçin për dinarin, njofton Lajçaku

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore