Shqipëria

Yuri Kim reagon pas vrasjes së oficerit të policisë Lezhë


“Ngushëllimet më të thella familjes dhe kolegëve të oficerit të Policisë së Shtetit Shqiptar, i cili u vra në krye të detyrës”.

Ky ka qenë mesazhi ngushëllues nga ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, të martën e 28 shtatorit për oficerin e policisë, i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë kësaj dite.

Kim nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter ka vënë theksin te rreziku që përballen uniformat blu.

“Ne jemi mirënjohës për heroizmin e Policëve dhe efektivët e tjerë të linjës së parë që përballen me rrezik në emër të të gjithë qytetarëve”.

Në përfundim ajo bën thirrje duke shpresuar që autorët të dalin para drejtësisë.

Vrasja e Oficerit

Në orët e para të mëngjesit, Saimir Hoxha, 44 vjeç, humbi jetën në krye të detyrës – në rrethana ende të paqarta.

Ai u qëllua me armë zjarri, gjatë një kontrolli anti-canabbis në zonën e Ishull Lezhë.

Menjëherë drejt ngjarjes u nis drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe u ngrit një strukturë e përbërë nga forcat speciale RENEA, grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, në ndihmë të kësaj strukture kanë shkuar edhe helikopterët e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë.

Ndërkaq nga struktura e posaçme u identifikua dhe autori i cili ishte 21-vjeçari, Aldi Rama.

Aldi Rama, autori i vrasjes

21 vjeçari sipas policisë ka pasur precedent penal. Rama ka qenë i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Sipas policisë, 21-vjeçari është larguar me automjet nga vendngjarja.

Ndërkohë ende vijon puna intensive për kapjen e tij. Policia ka ofruar 20 mijë euro shpërblim për këdo që zotëron informacion lidhur me vendndodhjen e tij.

Ndërtimi i ngjarjes

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, 44-vjeçari po kontrollonte territorin për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Aty, gjatë orëve të para të mëngjesit, në zonën e Vainit, u sulmua grupi i kontrollit të policisë.

Hoxha ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin Rajonal Lezhë.

Vendi i ngjarjes

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore