Shqipëria

Yuri Kim i bashkohet ecjes së fushatës “Kundër Kancerit të Gjirit”


Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, të shtunën e 16 tetorit u bashkua me udhëheqësit, të mbijetuarit nga kanceri i gjirit dhe aktivistët e komunitetit, në Ecjen Kundër Kancerit të Gjirit, “Fjongo Rozë Më Kujton”.

Këtë e bëri të ditur faqja zyrtare të media sociale Twitter, të shtunën e 16 tetorit, Ambasada Amerikane.

Për të 13-in vit radhazi, Ambasada Amerikane në Tiranë mbështeti me krenari këtë ngjarje dhe fuqizimin e grave përmes shëndetit.

Muaji i Ndërgjegjësimit të Kancerit të Gjirit, fokusohet në rëndësinë e edukimit të grave dhe vajzave se si të zbulojnë kancerin herët dhe të bëjnë jetë të shëndetshme.

“Kështu që shpresoj që të gjithë ne të bëjmë mamografinë tonë! Nuk është e këndshme, por ju duhet ta bëni atë. Dhe shpresoj që të gjithë ne të inkurajojmë miqtë tanë, nënat tona, motrat tona, hallat tona, gjyshet tona, vajzat tona për të bërë një mamografi”, theksoi Kim.

Në këtë Ecje të përvitshme pjesëmarrës ishte dhe Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe plot emra të njohur të jetës poltike. Po ashtu në Ecje ishin dhe gra që i kanë mbijetuar kancerit të gjirit.

“Shtetet e Bashkuara janë shumë krenare që qëndrojnë me ju në mbështetje të fuqizimit të grave, përfshirë mbështetjen e shëndetit të grave në të gjithë botën”, ishte mesazhi që dha Ambasadorja Kim.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë i diagnostikuar në nivel global. Në Shqipëri, ajo prek 700 gra dhe vajza çdo vit, dhe një e treta e tyre vdesin.

Më tej Kim shtoi se, “kjo është një sëmundje që nuk i intereson se sa i pasur jeni, nuk i intereson se ku jetoni, nuk ka rëndësi nëse jeni të lumtur apo të trishtuar, na ndodh të gjithëve, mund të na ndodhë të gjithëve”.

Gjithashtu sipas Ambasadores kjo nuk është një sëmundje që prek vetëm gratë, por ka dhe burra gjithashtu.

“Pra, është një kohë e mirë për të menduar për mjetet që kemi në dispozicion, duke filluar me vetë-edukimin, por edhe shërbimet shëndetësore. Dhe në këtë drejtim, zbulimi i hershëm është çelësi. Për shkak se shkalla e mbijetesës pesëvjeçare kur kanceri i gjirit zbulohet herët, është 99%”, vijoi me thirrjen e saj për ndërgjegjësim Yuri Kim.

Në përfundim ajo i dha një çmim Marisa Mengas. “Kjo është për kontributin tuaj të vlefshëm në kauzën e luftës kundër kancerit të gjirit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore