Lajme

Ymeri: Rama doli me propozim ta ndihmojë Kosovën të dalë nga ngërçi


Visar Ymeri

Për analistin politik, Visar Ymeri, iniciativa e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ka të vetmin qëllim – ta ndihmojë Kosovën që të dalë nga vorbulla e një ngërçi politik, meqë vendi është futur në një qorrsokak, daljen nga i cili askush nuk po e merr si përgjegjësie.

Sipas ish-bashkëpartiakut të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, propozimi i të parit të qeverisë shqiptare është tejet i dobishëm për të filluar diskutimin rreth themelimit të Asociacionit.

“Konsideroj që ky dokument i dorëzuar nga Rama do të merret seriozisht nga ndërmjetësuesit në dialog. Përfshirja e Shqipërisë në mënyrë kaq aktive në dialog është mbështetje për Kosovën. Përndryshe nëse edhe Shqipërisë i themi jo, siç po i themi SHBA-ve, BE-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, atëherë kush po na mbetet. Apo do të vazhdojmë vetë?”, ka potencuar Ymeri për Albanian Post.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, këtë të enjte, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se ua ka dorëzuar Gjermanisë dhe Francës, më saktë kancelarit Olaf Scholz dhe presidentit Emmanuel Macron, një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, drafti ky i cili është hartuar në bashkëpunim me disa prej ekspertëve më të mirë amerikanë dhe botërorë në këtë fushë.

Qëllimi i hartimit të këtij draft-statuti, sipas Ramës, ka të bëjë me faktin se Kosova dhe Serbia nuk e dëshirojnë Asociacionin dhe po bëjmë çmos ta shtyjnë në pafundësi, duke mbajtur të hapur krizën.

Marrë për bazë premisën se Kosova e ka për obligim ta themelojë Asociacionin, Ymeri thotë se themelimi i tij nënkupton vullnet e vendim politik për ta trajtuar çështjen me seriozitet.

“Në këtë proces diskutohen dokumentet. Aktualisht e kemi vetëm një dokument në tavolinë e ai është Statuti i shkruar nga Ekipi Menaxhues të cilin Kurti e ka shpallur të papranueshëm. Logjikisht pyetja që shtrohet është: Mirë çka është e pranueshme? Nga sot gjasat janë që t’i kemi dy dokumente në tavolinë: me këtë të dorëzuar nga Rama”, shton ai.

Prandaj sipas Ymerit nëse ky draft-statut i Ramës pranohet si dokument i vlefshëm nga kancelari gjerman e presidenti francez atëherë bëhet pjesë e negociatave.

“Një draft statut i shkruar nga Kosova është kërkuar për një kohë të gjatë. Ja që kryeministri ynë ka zgjedhur të sillet papërgjegjshëm në këtë dialog duke u mjaftuar me pika që rrallë kush i merr seriozisht dhe fraza populliste për konsum të brendshëm. E tash së fundi edhe me lojëra të rrezikshme për sigurinë”.

Edi Rama propozon një draft për Asociacionin në Kosovë

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore