Lajme

Xhaferi: S’jam kryeministër teknik, nocioni po përdoret për ta dobësuar qeverinë


Talat Xhaferi

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xheferi, ka theksuar se ai nuk ka mandat teknik meqë një teknik nuk ekziston as në ligjin për qeverinë dhe as në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Sipas tij ky është term po përdoret në Maqedoninë e Veriut për ta dobësuar qeverinë e tij.

“Nocioni i përkohshëm, nocioni teknik nuk ekziston as në ligjin për qeverinë, as në kushtetutë”, ka thënë ai në një intervistë për Top Chanel.

“Kështu që termi teknik është vetëm një term popullor që përdoret jashtë atij që është nocioni dhe statusi i vërtetë i qeverisë. Çështja e përcaktimit të faktorit shqiptar të opozitës, jo se nuk më votuan mua, por fatkeqësisht, është një përsëritje e rasteve të ngjashme në histori”, është shprehur ai.

Ndërsa në një intervistë për Euronews Albania, i pyetur për raportet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, derisa partia e këtij të fundit, Lëvizja Vetëvendosje po përkrah opozitën në shtetin fqinj, Xhaferi ka potencuar se nuk ka pengesa në komunikimin institucional.

Xhaferi ka theksuar se nuk i takon atij t’i komentoj vendimet politike të kryeministrit të Kosovës.

“Në rajon kam shumë homologë. Nuk ka pengesa të komunikimit të ndërsjellë. Nuk më takon mua të komentojë vendimet politike të Kurtit. Në marrëdhëniet institucionale nuk ka pengesa dhe nuk do të ketë pengesa. Nuk do të ketë pengesa në komunikimin institucional”, ka thënë ai.

Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut deklaroi se do ta ruajë dhe avancojë kursin euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut, ku ndër prioritet e qeverisë teknike do të mbetet veçanërisht bashkëpunimi me Bashkimin Evropian (BE), Aleancën Veri-Atlantike (NATO) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Ruajtja dhe avancimi i partneritetit strategjik të Maqedonisë së Veriut me BE-në, NATO-n dhe SHBA-në si qëllime strategjike që nga pavarësia e shtetit, mbeten prioritet parësor i kësaj qeverie. Kjo edhe për shkak të zhvillimeve gjeopolitike… lëkundja e orientimit evropian mund të shfrytëzohet nga shtete të treta për të destabilizuar vendin përmes shtrirjes së ndikimit”, tha ai.

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut votuan të dielën për qeverinë teknike e cila do të drejtohet nga një shqiptar: ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), i cili për një kohë drejtoi edhe legjislativin maqedonas, u fut në historinë moderne të Maqedonisë së Veriut si shqiptari i parë që udhëheq me postin më të rëndësishëm në këtë shtet.

Ai u zgjodh kryeministër me 65 vota pro, vetëm 3 kundër dhe asnjë abstenim nga gjithsej 68 deputetë të pranishëm në sallë – një moment historik që reflekton kontributin e shqiptarëve në ndërtimin e shtetësisë së Maqedonisë së Veriut. Deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk morën pjesë në votim. Gjithashtu, në votim nuk morën pjesë as opozita shqiptare.

Xhaferi në postin e kryeministrit zëvendëson liderin e Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), i cili dha dorëheqje nga drejtimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, bazuar në ligjin për zgjedhje, i cili parasheh që 100 ditë para zgjedhjeve paralametare të emërohet një qeveri teknike që do të përkujdeset për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve më 8 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore