Shqipëria

Xhaçka: Kroacia, mbështetëse e Shqipërisë në procesin e integrimit edhe me ekspertizë teknike


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun kroat Gordan Grlic-Radman, bëri me dije se Kroacia do të vijojë të jetë një mbështetëse e parezervë e procesit të integrimit në BE jo vetëm politikisht, por edhe me ekspertizë teknike konkrete.

“Diskutuam sesi mund të zgjerojmë e thellojmë më tej marrëdhëniet mes vendeve tona. Vizita e homologut Radman, tregon shprehje të vullnetit të përbashkët për të zhvilluar më tej partneritetin tonë”, tha ajo.

Gjithashtu Xhaçka bëri me dije se kanë diskutuar edhe për një numër aktivitetesh që do të organizohen për herë të parë, si takimi i përbashkët i dy qeverive.

“Vlerësuam trendin rritës të shkëmbimeve mes dy vendeve tona. Duhet të punojmë më shumë për të zhvilluar më tej bashkëpunimin tonë ekonomik dhe tregtar”.

Kryediplomatja shqiptare shtoi se sugjeruan mbajtjen e takimit të 6-të të Komisionit të Përbashkët Ekonomik dhe të një Forumi Biznesi.

“Mirëpresim investime të mëtejshme kroate dhe projekte në sektorë të ndryshëm. Konstatuam nevojën për vendosjen e lidhjeve ajrore e detare ndërmjet vendeve tona. Konstatuam nevojën për të forcuar bashkëpunimin tonë dypalësh, me fqinjët e njëmendtë në rajon dhe partnerët tanë. Bashkëpunimi mes nesh, është kyç për të përballuar me sukses sfidat e sigurisë të të gjitha dimensioneve”.

Ndër të tjera ajo shprehu “vlerësim për mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i ka dhënë dhe i jep Kosovës”.

“Do të punojmë akoma më shumë për të çuar përpara bashkëpunimin mes nesh, në të mirë të rajonit”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore