Shqipëria

Wisner: Çdo përpjekje për të trajtuar dezinformimin duhet të respektojë normat e lirisë së medias


Socialistët miratuan komisionin për dizinformimin për të luftuar ndikimin dashakeqës në proceset demokratike.

Shumica tha se komisioni është rezultat edhe i memorandumit të mirëkuptimit që Sekretari Blinken nënshkroi gjatë vizitës së tij në muajin shkurt.

Lidhur me këtë, i ngarkuari me punë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, David Wisner i tha Zërit të Amerikës se në këtë udhëtim, sekretari dhe Ministri i Jashtëm Hasani nënshkruan një memorandum, të cilin nxis ndjekësit tuaj, nëse do të donit, mund të shkoni online dhe mund të gjeni detaje mbi marrëveshjen.

“Nëse vizitoni faqen e Qendrës për Angazhimin Global në Departamentin e Shtetit, mund të lexoni gjithçka rreth saj. Është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme. Dezinformimi dhe keqinformimi po shkaktojnë sfidë të vërtetë për Shtetet e Bashkuara, partnerët dhe aleatët tanë në NATO, dhe është diçka mbi të cilën duhet të punojmë së bashku”.

Wisner mendon se “në të njëjtin kuptim, duhet të jemi shumë të qartë se çdo përpjekje për të trajtuar dezinformimin dhe keqinformimin, duhet të marrë parasysh dhe të respektojë normat e lirisë së fjalës, lirisë së medias, të cilat janë thelbësore për ata çka jemi si anëtarë të NATO-s, si partnerë në dy anët e Atlantikut, dhe kam shumë besim se kjo do të jetë mënyra se si ne do të ecim përpara në bashkëpunimin tonë”.

Me 73 vota pro dhe shtatë kundër, mazhoranca parlamentare ka votuar pro ngritjes së një komisioni të posaçëm sa i takon ndërhyrjeve të huaja në proceset demokratike të vendit, përfshi edhe dezinformimin.

Gjerësisht, ky organ do të njihet edhe si Komisioni i posaçëm për Dezinformimin.

Hapin e parë e ka hedhur me kalimin e tij në Konferencën e Kryetarëve, ku mori vetëm votat e shumicës dhe me një mazhorancë tejet skeptike rreth tij.

Opozita në retorikën e saj është qartazi kundër ngritjes së tij. E ka bërë të dukshme këtë me nisjen e seancës së 11 prillit.

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, e quajti qesharak, duke përsiatur një parashikim se mund të mos prodhojë asgjë.

Mandej, kryetarja për Komisionin e Medias, Flutura Açka, përshkroi se ky Komision me mandat njëvjeçar, po bëhet për të kapur median përpara zgjedhjeve 2025.

Ina Zhupa, një tjetër deputete demokrate, arriti deri aty sa t’i jepte “nota komunizmi”, kalimit të këtij Komisioni në Parlament. Agron Gjekmarkaj është po ashtu në merak për rolin “e fshehtë” që mund të ketë në “kapjen e mediave”.

Ky nuk është rasti gjithsesi për të majtët.

Nga sa ka arritur të mësojë Albanian Post rreth çështjes dhe asaj çfarë është shpalosur konkretisht nga shumica qeverisëse, Komisioni është një kërkesë e aleatëve perëndimorë dhe si i tillë nuk paraqet rreziqet e supozuara nga opozita.

Ai do të bazohet në disa shembuj, përfshi edhe Komitetin e Posaçëm të Parlamentit të BE-së për Ndërhyrjen e Jashtme, i cili ka zbuluar se fushatat e ndërhyrjes së huaj në Ballkanin Perëndimor synojnë vende individuale dhe ndikojnë negativisht në orientimin dhe stabilitetin e tyre euro-atlantik.

Kjo është evidentuar si problematikë e madhe nga socialistët dhe ndaj është kërkuar ngritja e shpejtë e këtij Komisioni.

Çështja ka të bëjë për ta edhe me zotimet që Shqipëria ka marrë në këtë fushë gjatë Samitit Ukrainë-Evropa Juglindore, ku ka pasur rekomandime lidhur me këtë dhe mbi të gjitha, bazohet edhe në Memorandumin e Mirëkuptimit, i cili është firmosur gjatë vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, më 15 shkurt në Tiranë dhe ka të bëjë me marrjen e hapave kundër manipulimit të informacionit të një shteti të huaj.

Kryesisht, keqinformime të tilla vijnë në rrugët ballkanike prej vendeve si Rusia dhe Kina, të cilat ndër armë kryesore në luftën kundrejt frontit perëndimor kanë edhe lajmet e rreme.

Sa i takon funksionalitetit, Komisioni i Posaçëm pritet të zhvillojë dëgjesa me palët kryesore të interesuara, që prej zyrtarëve të lartë qeverisës, shoqërisë civile, aktorëve mediatike, apo përfaqësues të biznesit.

Fokusi i tij pritet të jetë identifikimi i tendencave të ndërhyrjes në proceset demokratike, të cilat mund të shfaqen në mënyra të ndryshme, duke përfshirë fushatat e dezinformimit në mediat tradicionale dhe sociale, mbështetjen financiare të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, shtrëngimin ekonomik të aktorëve publikë dhe përmbysjen e shoqërisë civile.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore