Kosova

Weber: Perëndimi lejoi Vuçiç-in të vendoste Asociacionin në qendër të konfliktit me Kosovën – miqësia e tij me SHBA-të është katastrofale


Bodo Weber

Bodo Weber, ekspert për Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunëtor i lartë në Këshillin për Politikat e Demokratizimit në Berlin, tha se Perëndimi lejoi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të vendoste Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në qendër të konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për mediumin e Vojvodinës “Autonomija”, duke komentuar Marrëveshjes e Ohrit, ai theksoi se jo vetëm marrëveshja, por edhe tërë procesi i dialogut Kosovë-Serbi karakterizohet nga dobësia politike e Bashkimit Evropian dhe “miqësia katastrofale” e Vuçiç-it me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Një qasje e tillë nuk mund të çojë në një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi. Ndoshta nuk do të garantojë as zbatimin e asaj marrëveshjeje të përkohshme e të mjegullt që u konkretizua si në Bruksel ashtu edhe në Ohër”, tha Weber.

“Asociacioni i Komunave me shumicë serbe ishte një element kyç, por për nga thelbi i saj i papërcaktuar, jashtëzakonisht ambivalent i Marrëveshjes së Prillit. Asnjëherë nuk ishte përshtatur si mjet i përshtatshëm që do t’u mundësonte serbëve të Kosovës të jetojnë një jetë normale në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës”, shtoi Weber.

Megjithatë, sipas tij, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk mund të anashkalohet, por në të njëjtën kohë nuk mund as të zbatohet në mënyrën se si është hartuar fillimisht. Prandaj, ai është i bindur, se kjo çështje mund të zgjidhet në mënyrë të qëndrueshme vetëm brenda kornizës së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të takohen më 2 maj në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ky takim vjen pasi Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin Zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha më 18 mars përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.

Marrëveshjes – ashtu sikurse më 27 shkurt në Bruksel – i ka munguar një aspekt i rëndësishëm: nënshkrimet e dy lojtarëve kryesorë – kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ky aspekt është vlerësuar nga njohësit e çështjeve politike si pengesë për zbatimin e plotë të marrëveshjes.

Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiç paraprakisht ishin pajtuar në Bruksel me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë i rëndësishëm dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore.

Të dyja palët do të shkëmbejnë gjithashtu misione të përhershme në qeveritë përkatëse dhe nuk do ta bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt BE-së. Serbia, po ashtu, është zotuar se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe t’i formalizohet statusi Kishës Ortodokse Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore