Lajme

Weber: Nëse nuk ka pasur marrëveshje për Asociacionin, nuk ka pasur përparim mes Kosovës dhe Serbisë


Bodo Weber.

Sipas bashkëpunëtorit të lartë të Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, Bodo Weber, pa një dakordim të qartë në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbë në Kosovë nuk konsiderohet se ka pasur përparim në bisedimet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Sipas tij, të hënën në Bruksel nuk ka pasur sinjale që palët janë afër marrëveshjes.

“Në lidhje me këtë, duhet parë edhe propozimi evropian dhe përmbajtja e aneksit të zbatimit. Pra, në këtë drejtim, dje nuk ka pasur një përparim. E, në veçanti, çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet pengesë. Dje nuk ka pasur shenja se palët janë më afër marrëveshjes për këtë çështje. Kështu, nëse nuk ka pasur marrëveshje për Asociacionin, dje, de facto, nuk ka pasur rezultat”, thotë Weber për Radio Evropa e Lirë.

Ai propozimin dhe marrëveshjen e konsideron akoma si “të paqartë”, veçanërisht për Kosovën.

“Unë do të thosha dy gjëra. Së pari, për shkak të presionit të kryeqyteteve perëndimore – të përfshira në negociata dhe që e mbështesin propozimin – për Beogradin, e aq më tepër për palën kosovare, nuk ishte e papritur që shefi i politikës së jashtme të BE-së, Joseph Borrell, deklaroi mbrëmë [se ka pasur] sukses. Dhe, së dyti, si çdo gjë me këtë propozim dhe marrëveshje, që duket goxha e paqartë, edhe deklarimi se ka pasur progres, dukej shumë i paqartë”.

Kurse, pohon se nga presidenti i Serbisë nuk u deklarua se marrëveshja është arritur.

“Ju mund ta keni vërejtur se zoti Borrell nuk po fliste për arritjen e një marrëveshjeje, por thoshte se palët kanë rënë dakord që të mos negociojnë më tej për Marrëveshjen drejt normalizimit Kosovë-Serbi, por t’i vazhdojnë negociatat për aneksin e zbatimit. Ndërsa, nëse e dëgjoni deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit – as që mund të dëgjohej duke thënë se është arritur marrëveshje”.

I pyetur lidhur me tekstin e propozimit evropian dhe se cila palë përfiton thotë se është e vështirë të bëhet vlerësimi në këtë rast, kjo për shkak të karakterit të marrëveshjes.

“Po, teksti është publikuar. Është pak a shumë identik me versionet e mëparshme që kanë dalë, me përjashtim të disa detajeve që janë interesante. Është e vështirë të vlerësohet se kush do të përfitojë në fund, për shkak të karakterit të kësaj marrëveshjeje”.

“Kjo është një formë e marrëveshjes së ndërmjetme. Është një largim nga plani dhe qasja e mëparshme e BE-së dhe e SHBA-së për të negociuar drejtpërdrejt për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse”.

Qasjen aktuale, Weber e krahason me qasjen që ishte në fillim të dialogut.

“Duhet të rikujtojmë se një qasje e tillë ka qenë në thelb të dialogut fillestar politik më 2012 -2013. Por, BE-ja dhe SHBA-ja, në atë kohë, kanë demonstruar se nuk kanë vullnet politik dhe kapacitete për të udhëhequr një proces kaq afatgjatë”.

“Dhe palët lokale Kosova dhe Serbia, në fund, e kanë shfrytëzuar boshllëkun strategjik, për ta minuar dhe përmbysur procesin dhe për ta bërë atë të funksionojë për to, por jo për ta bërë atë të funksionojë në drejtim të një zgjidhjeje të qëndrueshme”.

Sipas tij, nëse njëra palë do të ketë sukses ajo është Serbia.

“Pra, në këtë drejtim, nëse ky proces nuk do të çojë në një zgjidhje të qëndrueshme, atëherë patjetër do të jetë Beogradi ai që do të përfitojë në afat të gjatë, duke manovruar BE-në dhe SHBA-në në një afat më të gjatë”.

Propozimi franko-gjerman që Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua shtatorin e vitit 2022, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në praninë e ndërmjetësuesve evropianë.

Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Për herë të parë është zbuluar edhe zyrtarisht dokumenti i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky propozim parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe garanci shtesë për komunitetin serb në Kosovë. Aty nuk përmendet njohja reciproke.

Lexojeni tekstin e plotë të dokumentit franko-gjerman që tani është pagëzuar zyrtarisht me emrin “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore