Lajme

Vuçiç: S’do ketë martesa të gjinisë së njëjtë derisa të jem unë president


Aleksander Vucic

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një paraqitje televizive të dielen, ka folur sërish për komunitetin e lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve e transgjinorëve (LGBT), duke thënë se përderisa të jetë në krye të shtetit, nuk do të lejojë martesa të gjinisë së njëjtë.

“Nuk do të nënshkruaj asnjë ligj ku do të ketë martesa të gjinive tjera, përveç gruas dhe burrit. Besoj se ne jemi thjesht një shoqëri tradicionale, nuk më intereson nëse dikush që i përket komunitetit LGBT mund të ndjehet i fyer, por derisa unë jam president, kjo nuk do të ndodh”, ka thënë Vuçiç.

Vitin e kaluar, përkatësisht në muajin shtator, presidenti serb kishte sugjeruar që marshi pan-evropian “EuroPride” nuk do të lejohej që të mbahej në Beograd për shkak të “tensioneve të fundit në Kosovë”. Autoritetet serbe më pas miratuan paradën e krenarisë për shkak të presionit të madh nga ambasadat perëndimore.

Serbia, që ka një histori të gjatë të sulmeve nga grupet e së djathtës ekstreme kundër aktivistëve të komunitetit LGBT, ka përsëritur shumë herë se është e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, derisa synon anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore