Lajme

Vuçiç pas takimit me Lajçak’un: Jam i shqetësuar për situatën në Veri, Kurti po do luftë


Miroslav Lajçak dhe Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas takimit me të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në një konferencë për media, është shprehur i shqetësuar për situatën në Veri të Kosovës.

Shqetësimi i Vuçiç, siç deklaroi ai, buron nga nevoja “pasionante” e Kurtit për të shkaktuar luftë dhe konflikt.

“Jam shumë i shqetësuar për situatën në Kosovë dhe veçanërisht në Veri. Shqetësimi buron nga nevoja pasionante e Kurtit për të shkaktuar luftë dhe konflikt. Unë jam i shqetësuar. Jam i shqetësuar sepse duan të marrin me forcë zyrat në komunat në Veri pas zgjedhjeve. Jam i shqetësuar edhe nga naiviteti i ambasadorëve të shteteve të QUINT’it”, ka thënë Vuçiç.

Vuçiç’i ka bërë të ditur se në takim është diskutuar edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Formimi i Asociacionit është parakusht për bisedime të mëtejshme me Prishtinën. Serbia ndjek qasjen e saj konstruktive ndaj dialogut, por vazhdon të insistojë në Asociacionin si garanci për sigurinë e komunitetit serb në Kosovë”.

Diplomati sllovak para se të udhëtojë në Serbi për t’u takuar me krerët institucional takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamzën dhe udhëheqësit e Listës Serbe.

Lajçak, bëri të ditur se në takim me Kurtin u diskutua mbi atë se si e sheh Unioni procesin e hartimit të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Roli ynë si lehtësues është gjithmonë të gjejmë rrugën e mesme dhe kjo është pikërisht ajo që ne po përpiqemi të bëjmë”, deklaroi Lajçak pasi u pyet për dy draft-statutet që janë prezantuar nga palët për Asociacionin.

Ndërsa pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe, diplomati sllovak u shpreh i shqetësuar për atë se çfarë dëgjoi duke mos dhen detaje se çka konkretisht ka dëgjuar nga partia më e madhe e serbëve të Kosovës.

“Për mua ishte e rëndësishme të vizitoja përsëri veriun e Kosovës dhe të bisedoja me bashkëbisedues të ndryshëm në mënyrë që të fitoja përshtypjen time të drejtpërdrejtë për situatën aktuale. Ne duhet të shmangim çdo mundësi përshkallëzimi dhe të përqendrohemi plotësisht te normalizimi”, shkroi ai në Twitter pas takimit me Listën Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore