Lajme

Vuçiç: “Kosova po përgatitet për likuidimin e serbëve nga Veriu”


Aleksandër Vuçiç

Aleksandër Vuçiç, presidenti i Serbisë, i cili përsëri ka hyrë nën petkun e një viktime, gjatë një konference për media ka pretenduar se Qeveria e Kosovës dëshiron të sulmojë Veriun e Kosovës dhe të likuidoi serbët nga shtëpitë e tyre, me pretekstin e luftimit të krimit dhe korrupsionit.

“Prishtina po përdor situatën në Ukrainë për të bërë fushatë kundër Serbisë, dhe se është gënjeshtër se Serbia po dëshiron të sulmojë Kosovën, Prishtina është ajo që po dëshiron të sulmoj Veriun”, ka pretenduar Vuçiç.

Vuçiç gjatë fjalimit të tij ka bërë të ditur se ai është i vetëdijshëm për planet e Prishtinës për, siç pretendon ai, vrasjen e serbëve në Veri.

“Unë po i kërkoj që të mos planifikojnë arrestimin dhe vrasjen e askujtë, vetëm pse i shqetëson kushdo që është i lirë, sipas tyre kushdo që është serb është kriminel”.

Vuçiç më tej ka bërë të ditur se nuk pret asgjë nga takimi i radhës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në kuadër të dialogut në Bruksel.

“Shpresojë që prindërit e tyre ilegal [bashkësia ndërkombëtare] do t’i detyrojnë ata [Kosovën] të jenë më racional në takim”, ka shtuar ai.

Sipas Vuçiç, shteti i tij në asnjë mënyrë nuk do të pranojë që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe të jetë në formën e një organizate joqeveritare.

Sipas Vuçiç, top-diplomati amerikan, Gabriel Escobar bënë shaka kur thotë se Asociacioni duhet të jetë konform Kushtetutës së Kosovë.

“Po bëni shaka, dua t’i pyes pra, pse kemi negociuar dhe biseduar kur Asociacioni duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës? Pse na intereson se çfarë shkruhet në kushtetutën e tyre të cilën ne nuk e njohim? Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë”.

Më tej, Vuçiç, ju është drejtuar edhe ambasadorëve të shteteve të QUINT-it duke thënë se pret nga ata mirëbesim në raport me situatën e Serbisë në Kosovë.

“Ne duam të flasim për gjithçka, ju mund të bëni gjithçka me forcë, por vetëm me forcë. Ju as mos u mundoni e as mos ëndërroni se do të mund të na detyroni të heqim dorë nga të drejtat tona, të marrim pjesë në shkatërrimin e vendit tonë”, ka shtuar ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore