Kosova

Vuçiç: Jam plotësisht i përkushtuar për dialogun me Kosovën


Aleksander Vuçiç dhe Ylva Johansson

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se shteti që ai udhëheqë është i “përkushtuar” për vazhdimin e dialogut me Kosovën që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Këto komente, Vuçiç i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas takimit që ka pasur me Komisioneren Evropiane për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson.

“Thashë se vendi ynë është plotësisht i përkushtuar për dialogun me Prishtinën, por është thelbësore që të sigurohet siguria e popullatës serbe dhe të kryhen pa vonesa të mëtejshme të gjitha obligimet nga marrëveshjet e arritura deri më tani”, shkroi Vuçiç.

Ai ka theksuar se “për çështjen e Kosovës jemi në një situatë jashtëzakonisht të vështirë”, derisa ka propaganduar se serbët nga Kosova “po vuajnë presion të padurueshëm dhe forma të tjera të shtrëngimit të shkaktuara nga lëvizjet e njëanshme të Prishtinës”.

“Theksova se Serbia është e përkushtuar për bashkëpunim në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë me BE-në në atë masë që nuk do të rrezikonim interesat tona jetike kombëtare, politike dhe ekonomike”, shtoi.

Po ashtu, ai e ka falënderuar Komisioneren për njohjen e Serbisë nga BE-ja “si një partner i besueshëm për migracionin, ndërsa trajtimi i vendit tonë gjatë krizës së gjatë të emigrantëve është vlerësuar si jashtëzakonisht i përgjegjshëm, human dhe solidar”.

“Serbia vazhdon të monitorojë nga afër lëvizjet e migracionit dhe me përgjegjësi të marrë masa në këtë drejtim, siç konfirmohet sot nga Marrëveshja për Aktivitete Operative e realizuar nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare FRONTEX në Republikën e Serbisë”.

Kreu serb pohoi se e kanë mirëpritur miratimin e Rregullores për Krijimin e Instrumenteve për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, “e cila siguron fonde për reforma gjithëpërfshirëse të rajonit tonë, me çka BE-ja ka treguar vendosmërinë e saj për thellimin dhe intensifikimin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore