Lajme

Vuçiç e Dodik pajtohen për një takim të autoriteteve shtetërore të Serbisë dhe Republikës Srpska


Milorad Dodik dhe Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, këtë të enjte ka takuar presidentin ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik-un me të cilin janë pajtuar për organizimin e një takimit të “të gjitha autoriteteve shtetërore” të Serbisë dhe Republika Srpska-s.

Sipas tij takimi do të mbahet në territorin e Republikës Srpska në Bosnje.

“E kam dëgjuar presidentin Dodik me vëmendje të madhe, lidhur me të gjitha zhvillimet në Republikën Srpska dhe në Bosnje-Hercegovinë dhe jemi pajtuar që ta organizojmë një takim të të gjithë trupave shtetërore të Serbisë dhe Srpskas, në territorin e Republikës Srpska, sa më shpejt që është e mundur”, ka shkruar Vuçiç.

Takimi në mes të Dodikut dhe Vuçiç-it zhvillohet në kohën e rritjes së kritikave të faktorit ndërkombëtar ndaj Dodikut, kryesisht për shkak të deklaratave dhe veprimeve të institucioneve të këtij entitetit, që konsiderohen destabilizuese për shtetin e Bosnje-Hercegovinës.

Së fundi, Qeveria e Republikës Srpska ka miratuar ligje për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe që të mos i publikojë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare.

Se deklaratat e Dodikut janë kundër perspektivës së anëtarësimit të Bosnje-Hercegovinës në Bashkimin Evropian, e ka thënë të mërkurën edhe kryediplomati i BE-së, Josep Borrell.

“Akti i largimit prej rendit kushtetues duhet të ndalet. Retorika përçarëse, kërcënimet për ndarje, kërcënimet ndaj integritetit territorial dhe madhërimi i kriminelëve të luftës duhet të ndalet, sepse nuk ka vend për diçka të tillë në Evropë”, ka thënë Borrelli në takimin e pestë të Këshillit për Stabilizim-Asociim, Bosnje-BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore