Lajme

Vrasja në Ferizaj, 30 ditë paraburgim për të dyshuarin që po trajtohet në QKUK


Ilustrim

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, ka thënë për Albanian Post se Gjykata Themelore ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Qendrim Januzit – i dyshuar për vrasjen Gazmend Hysenit të premten e 28 majit në Ferizaj.

“Është miratuar kërkesa për paraburgim e Prokurorisë dhe të dyshuarit i është caktuar masa prej 30 ditësh”, tha shkurt përmes telefonit Jashari.

Sipas tij, i dyshuari është duke qëndruar në spital ku edhe është mbajtur seanca degjimore.

Ndërkaq të shtunën, Jashari i tha për AP-së se i dyshuari Q.J. është duke u trajtuar në QKUK, pasi është plagosur nga arma zyrtare e një polici i cili kishte ndërhyrë në këtë rast, për ta arrestuar.

Qendrim Januzi

“Është mbajt seanca dëgjimore, seanca e paraburgimit, është mbajtur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në repartin Maksillofaciale”, ka theksuar Jashari.

Në Kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktim të masës së paraburgimit, dërguar Gjykatës Themelore në këtë qytet, të cilën e ka siguruar Albanian Post, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari Q.J. “me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin Gzmend Hysenin”.

Prokuroria vlerëson se me këtë veprim, duke kryer vrasje në rrugën Rexhep Bislimi në Ferizaj, afër ”Euro Marketit”, i dyshuari ka vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë, “të cilët kanë qenë para hyrjes së marketit dhe në market”.

Organi i akuzës vlerëson se shkak i kësaj vrasje buron nga një mosmarrëveshje e mëhershme me një veturë të vëllait të tij.

“Për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit”, thuhet në kërkesën e prokurorisë Themelore në Ferizaj.

“Me të takuar të ndjerin, shtënë në drejtim të tij me armë zjarri shtatë herë, me ç ‘rast si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë”, vazhdon më tej shpjegimin e rastit Prokuroria.

Kështu, prokuroria e ka cilësuar këtë rast si “vrasje e rëndë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore