Lajme

Zyrtare: Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim, shpaloset motivi i vrasjes në Ferizaj


Moment nga vendi i ngjarjes

Seanca dëgjimore në rastin e vrasjes së 30 vjeçarit Gazmend Hyseni, i cili u vra të premten mbrëma në Ferizaj u mbajt në QKUK.

Kjo, meqë që i dyshuar Q.J. është duke u trajtuar në QKUK, pasi është plagosur nga arma zyrtare e një polici i cili kishte ndërhyrë në këtë rast, për ta arrestuar.

“Është mbajt seanca dëgjimore, seanca e paraburgimit, është mbajtur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në repartin Maksillofaciale”, ka treguar për Albanian Post, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, për Albanian Post.

Por, i dyshuari nuk është intervistuar për shkak të gjendjes së tij shëndetësore jo të mirë, ka treguar më tej Kryeprokurori Jashari.

“I dyshuari nuk është intervistuar ende, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Gjendja e tij shëndetësore nuk është shumë e rëndë, por jo e mirë dhe nuk ka pasur mundësi të deklarohet rreth ngjarjes”, ka thënë më tej Jashari.

Në Kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për caktim të masës së paraburgimit, dërguar Gjykatës Themelore në këtë qytet, të cilën e ka siguruar Albanian Post, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari Q.J. “me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin Gzmend Hysenin”.

Prokuroria vlerëson se me këtë veprim, duke kryer vrasje në rrugën Rexhep Bislimi në Ferizaj, afër ”Euro Marketit”, i dyshuari ka vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë, “të cilët kanë qenë para hyrjes së marketit dhe në market”.

Prokuroria vlerëson se shkak i kësaj vrasje buron nga një mosmarrëveshje e mëhershme me një veturë të vëllait të tij.

“Për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit”, thuhet në kërkesën e prokurorisë Themelore në Ferizaj.

“Me të takuar të ndjerin, shtënë në drejtim të tij me armë zjarri shtatë herë, me ç’rast si pasojë e plagëve të marra ndërroi jetë”, vazhdon më tej shpjegimin e rastit Prokuroria.

Kështu, prokuroria e ka cilësuar këtë rast si “Vrasje e rëndë”.

Në arsyetimin e vet, Prokuroria bën të ditur se bazohet në hetimet e deri tanishme të cilat edhe janë bërë pjesë e procesit.

“Arma e përdorur në natën kritike nga ana e të pandehurit në kryerjen e veprës penale, video-incizimi nga i cili vërtetohet se i pandehuri me armë zjarri ka shtënë në drejtim të të ndjerit”.

Po ashtu pjesë e këtij procesi të hetimeve fillestare është edhe deklarata e një dëshmitari nga vendi i ngjarjes. I cili kishte kishte qenë bashkë me të ndjerin kur ka ndodhur rasti dhe më pas e kishte dërguar atë në emergjencë, por mjekët kishin konstatuar se ishte shumë vonë për të intervenuar, pasi që ai kishte ndërruar jetë.

Bazuar në këto prova, prokurori i rastit ka konstatuar se ekziston dyshim i bazuar për caktim të masës së paraburgimit.

Por njofton se i dyshuari nuk është intervistuar akoma.

Bëhet e ditur se në këtë proces hetimet nuk kanë përfunduar dhe do të dëgjohen edhe dëshmitarë të tjerë.

Prokuroria kërkon paraburgimin e të dyshuarit edhe për një shkak tjetër.

“Nëse i pandehuri në këtë fazë të hetimeve gjendet në liri, do të ndikoj tek të njëjtit (dëshmitarët), në mënyrë që të deklarohen në favor të mbrojtjes së tij”, thuhet në Kërkesën e prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit, dërguar Gjykatës Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit Q.J.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore